Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq 25-vjeçarin Darment Keli në lidhje me vrasjen e Amarildo Hoxhallarit.
Ngjarja në fjalë ndodhi më 24 Gusht të vitit të kaluar. E gjithë ngjarja nisi kur viktima Amarildo Hoxhallari dhe miku i tij, A.M dyshohet se ngacmuan me fjalë një vajzë. Ky veprim u pa nga ballkoni nga Keli i cili më pas u konfliktua me dy personat.
“Në konflikt e sipër, ky shtetas qëlloi disa herë me mjet prerës thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, shtetasin A.H., duke i shkaktuar më pas atij vdekjen. Ky shtetas deklaroi se personat në fjalë ngacmuan të fejuarën e tij e cila ishte nisur të takonte një të afërmen e saj dhe pasi e pa tërë skenën nga ballkoni, ai zbriti duke marrë me vete edhe një thikë, teksa pranoi se në konflikt e sipër e goditi disa herë në krah dhe në pjesën e barkut”, njoftoi prokurori.
Për këtë arsye, ndaj Kelit rëndon vepra penale e vrasjes me dashje.
Kujtojmë se Hoxhallari u dërgua fillimisht në spital në gjendje të rëndë, por aty gjeti vdekjen vetëm pak kohë më pas. Edhe autori në fillim u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më vonë.
Viktima Amarildo Hoxhallari rezultonte person me precedentë penalë.
Në vitin 2015, kur ishte 25-vjeç, ai u arrestua së bashku kushëririn e tij Aurel Hoxhallari për një tentativë vrasje, ku mbetën të plagosur 2 persona. Bëhet fjalë për atentatin e dështuar ndaj Pajtim Serjanit, mik i Emiljano Shullazit dhe plagosjen e efektivit Roland Meta.
Ndërsa kushëriri i tij Aurel Hoxhallari, i arrestuar në atë kohë për këtë ngjarje, u dënua me burgim të përjetshëm një vit më parë nga Gjykata e Posaçme, si porositës i vrasjes së Devi Kasmit, krim i ndodhur më 29 Janar të 2018 në Tiranë.