Një 24-vjeçar nga Tirana përfundoi në prangat e policisë pasi trafikonte drogë nga SHBA-ja drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për kanabis sativa me përqindje të lartë THC-je që i riu e sillte në Tiranë nëpërmjet shërbimit postar.
Siç duket edhe nga pamjet, 24-vjeçari F. Veizajështë kapur sapo ka dalë nga posta, me një kuti kartoni në krahë. E brenda saj kishte 3.6 kilogramë drogë.
“Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Destinacioni”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar. Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 5”, u arrestua shtetasi F. V., 24 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 3.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA”, njoftoi policia.
Sipas uniformave blu, droga kishte një vlerë prej 50 mijë eurosh. Ata po vijojnë hetimin për të zbuluar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Kjo nuk është hera e parë që policia godet tentativa të trafikut të drogës nëpërmjet shërbimit postar. Më herët janë arrestuar disa persona për kanabis që trafikohej edhe nga Tajlanda.
Detaje në lidhje me 24-vjeçarin që u kap në Tiranë për trafikim droge.
Kanabisi që është kapur këtë të mërkurë nga Antidroga e kryeqytetit ishte dërguar nga New York me postë.
Policia e ka emrin e dërguesit, por pritet të verifikohet në bashkëpunim me palën amerikane. 3.6 kilogramët e drogës kishin vlerë në treg 50 mijë Euro, një shifër e lartë për kanabisin për shkak të cilësisë së saj me vlera të mëdha THC-je.
Dyshohet se i riu kishte marrë dhe herë të tjera kanabis nga jashtë vendit përmes postës. Porosia ishte bërë për dekore artistike për shtëpi, por që në brendësi kishte lëndën narkotike.
Ky është rasti i tetë gjatë dy viteve të fundit që Antidroga ka goditur rastet e kanabisit përmes postës, nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Tajlandë.
Sa i përket të arrestuarit, F. Veizaj ka qenë i arrestuar për drogë në 2022.