Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Luksemburgu se me mbylljen e Kapitullit 20 të negociatave me BE-në Shqipëria ka hedhur një tjetër hap vendimtar drejt vendit të saj të drejtë në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rama doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos dhe ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian.
Kryeministri vlerësoi se mbyllja e ndërmjetme e Kapitullit 20 që është sipërmarrja dhe politika industriale është një njohje më tej e reformave që ka realizuar Shqipëria dhe transformimit që vendi vazhdon të ndërmarrë.
Kryeministri theksoi se ky kapitull bëhet i katërti kapitull negociues që mbyllet provizorisht vetëm brenda pak muajsh.
Kryeministri vlerësoi mbështetjen e Presidencës irlandeze të BE-së në këtë proces, ndërsa shtoi se “duam së paku të bëjmë dhe dyfishin, kështu që le të punojmë së bashku, shqiptarët dhe irlandezët, e le ta tundim këtë shtëpi, le ta bëjmë realitet”.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se “jemi të vetëdijshëm se progresi nuk matet thjesht me numrin e kapitujve të mbyllur”.
“Këto janë gurë kilometrikë të rëndësishëm, s’ka aspak dyshim, por progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara, fuqizimin e institucioneve dhe rezultatet e prekshme që janë arritur”, theksoi ai.
Kryeministri shprehu mirënjohjen edhe për të gjitha vendet anëtare për besimin, mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm përgjatë gjithë procesit.
“E dimë që kemi ende rrugë të gjatë për të bërë, por jemi gati e të përgatitur për t’ia dalë. Në të njëjtën kohë pres me padurim që të mbahet samiti i ardhshëm i Planit të Rritjes, së bashku me Forumin e Investimeve, në Tiranë. Deri atëherë jam shpresëplotë që do të kemi bërë edhe më shumë progres e do të kemi dhe njohje të mëtejshme të progresit”, shtoi Kryeministri Rama.
