Zbulohet një planet i vogël që ngjan me një kometë. Ndodhet pranë Tokës në terma kozmike, vetëm 140 vite dritë larg nesh dhe po shpërbëhet me shpejtësi te lartë. Arrin të kryejë një rrotullim rreth yllit mëmë në vetëm 30.5 orë, duke humbur një sasi të barabartë me malin Everest dhe sipas përllogaritjeve do të zhduket plotësisht në 1 milion vite.
Është vrojtuar nga teleskopi hapësinor “Tess” i NASA-ës nga një grup kërkuesish të MIT, “Massachussets Institute of Tecnology” dhe puna studimore është publikuar ne revistën “The Astrophysical Journal Letters”. Deri më tani janë zbuluar rreth 6 mijë exoplanetë, pra që ndodhen jashtë sistemit tonë diellor, dhe vetëm 3 prej tyre kanë bisht, si rasti në fjalë. Planeti i ri i zbuluar me siglën BD +054868 Ab, ka një masë më të vogël se ajo e Merkurit dhe orbiton rreth yllit te vet rreth 20 herë më pranë.
Mendohet se është i mbuluar me magmë vullkanike që arrin deri ne 1600 gradë Celsius, pikërisht si pasojë e rrotullimit kaq afër me yllin e tij. Kjo masë magme ftohet dhe shpërndahet në hapësirë, duke krijuar edhe bishtin, që zgjatet rreth 9 mln km pas.
Fenomeni është një rrjedhojë e masës së tij mjaft të vogël, pasi kjo sjell gravitet të dobët e sa më shumë masë të humbë aq më tepër dobësohet forca gravitacionale, në një rreth vicioz pa fund.