📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

✕
🌙 Dark
⚫ Contrast
🔄 Invert
⚪ Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
87613eea 39ea 422a 96f0 2c47e2c19e94

Dizajni si urë mes traditës dhe inovacionit, si dhe mundësitë për bashkëpunim mes bizneseve shqiptare dhe italiane, ishin në qendër të panelit “Tradition as a Living Project”, pjesë e edicionit të 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Përfaqësues të kompanive dhe profesionistë italianë diskutuan mbi mënyrën se si trashëgimia, mjeshtëria artizanale dhe teknologjia mund të ndërthuren për të krijuar produkte dhe modele të reja biznesi.

Në këtë edicion, mbi 70 kompani italiane nga rajone të ndryshme të vendit, përfshirë Pulian, Lacion, Kampanian, Venetën dhe Markën, prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre, duke synuar të krijojnë ura bashkëpunimi me tregun shqiptar.

Për arkitektin dhe dizajnerin italian Pierangelo Caramia, një nga sfidat kryesore është aftësia e kompanive për të përthithur ide të reja dhe për t’i kthyer ato në mundësi zhvillimi, pa qenë e nevojshme të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si operojnë.

“Një nga sfidat do të jetë të ndihmojmë kompanitë të testojnë aftësinë e tyre për të përthithur ide dhe propozime inovative që vijnë nga jashtë strukturave të tyre, pa qenë e nevojshme të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore modelet ekzistuese të prodhimit. Tirana dhe ky panair janë një hapësirë e mirë për t’u rritur në nivele të tjera”, shprehet Caramia.

Në këtë drejtim, një rol të rëndësishëm luan edhe iniciativa ManiFuture, e mbështetur nga Rajoni i Pulias dhe Unioncamere Puglia, në bashkëpunim me Agjencinë Italiane të Tregtisë. Ajo synon të nxisë shkëmbimin e përvojave dhe transferimin e njohurive në sektorët e dizajnit, prodhimit dhe arredimit.

Për dizajnerin italian Guido Santilio, dizajni duhet parë përtej pamjes së një produkti. Ai e konsideron atë një instrument që mund të ndihmojë kompanitë të përqafojnë teknologji dhe procese të reja, edhe kur kanë përmasa të vogla apo një traditë të konsoliduar prodhimi.

“Dizajni, i kuptuar si kulturë e projektimit dhe jo thjesht si një përqendrim te objekti, mund të përfaqësojë një instrument të fuqishëm për transferimin e teknologjisë, duke lehtësuar proceset e inovacionit edhe brenda kompanive më të vogla apo atyre me tradita më të konsoliduara. Në këtë fazë që është Shqipëria, për ne është një mundësi shumë e mirë”, thotë Santilio.

Përtej ideve dhe koncepteve, panairi shërben edhe si një hapësirë ku kompanitë prezantojnë drejtpërdrejt kapacitetet e tyre prodhuese dhe mundësitë për bashkëpunim. Vitamaria Nuzzi, sipërmarrëse në kompaninë Nuzzi Metal Design, e sheh pjesëmarrjen në Tiranë si një mundësi për të prezantuar përvojën dhe punën e kompanisë në projektet e mobilieve metalike dhe elementeve strukturore.

“Për mua është një nder i vërtetë që të përfaqësoj Nuzzi Metal Design. Ne bashkëpunojmë me kompani, arkitektë, dizajnerë të interierit dhe kontraktorë të përgjithshëm për të realizuar projekte komplekse, duke i kthyer ato në mobilie metalike dhe elemente strukturore. Çdo detaj projektohet dhe përpunohet në punishten tonë, ku u japim formë projekteve unike, të konceptuara për t’i rezistuar kohës”, shprehet Nuzzi.

Një projekt turistik, për shembull, mund të gjejë në të njëjtën hapësirë partnerë për ndërtimin, furnizimin energjetik, teknologjinë apo arredimin. Kjo është një prej mundësive që ofron një panair me përfaqësim të gjerë sektorësh, ku bizneset mund të krijojnë kontakte dhe të eksplorojnë bashkëpunime të reja.

Një tjetër shembull i ndërthurjes së traditës me qasjet bashkëkohore vjen nga kompania Pimar, e specializuar në përpunimin e gurit gëlqeror italian. Mary Marrocco prezanton historinë e një biznesi që prej katër brezash ruan mjeshtërinë tradicionale, ndërsa e zhvillon atë përmes eksperimenteve dhe ideve të reja krijuese.

“Me qendër në zemër të Salentos, Pimar njihet për traditën e saj unike në përpunimin e gurit gëlqeror. Besnike ndaj traditës dhe historisë së saj, të rrënjosur në të kaluarën, kompania arrin njëkohësisht të ndërthurë këtë trashëgimi me eksperimente dhe qasje të reja krijuese. Prej katër brezash, procesi i saj i prodhimit mishëron thelbin e mjeshtërisë italiane në përpunimin e një guri mijëravjeçar”, thotë Marrocco.

Edicioni i 32-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, i organizuar në Pallatin e Kongreseve, vijon të synojë forcimin e lidhjeve mes bizneseve vendase dhe atyre ndërkombëtare. Përtej ekspozimit të produkteve dhe shërbimeve, panairi synon të shërbejë si një pikë takimi për shkëmbimin e përvojave, krijimin e partneriteteve dhe hapjen e mundësive të reja në tregje përtej kufijve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights