Deputeti demokrat Xhelal Mziu bashkë me nipin e tij kanë ushtruar dhunë ndaj një zyrtari të quajtur Kalosh Murra. Rastin që raportohet të ketë ndodhur në fshatin Ostren të Bulqizës ditën e djeshme, Policia e ka referuar në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK).
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Mziu është aktualisht drejtuesi i PD-së për qarkun e Dibrës, njëherësh edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 Majit, pjesë e listës së mbyllur.
Në ambientet e SPAK, për herë të fundit Mziu ka qenë në Qershor të vitit të shkuar ku u pyet për më shumë se 1 orë në kuadrin e një hetimi për tenderat e pastrimit dhënë në kohën kur ai ishte kryebashkiak i Kamzës.
Ndërsa në 2022-in, demokrati dha deklarime për një tjetër hetim.