Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se modeli i ri i Prokurimit të Përqendruar garanton më shumë siguri e transparencë, më pak barrë ekonomike dhe eliminim të burokracive për institucionet dhe sipërmarrjen.
Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e modelit të ri Prokurimeve të Përqendruara, i cili do të shërbejë si mekanizëm në dispozicion të dikastereve qendrore për të planifikuar dhe realizuar në kohë Prokurimet Publike.
Kryeministri vlerësoi se ky është një transformim shumë i rëndësishëm në aspektin e funksionimit tërësor të strukturës së Prokurimeve Publike, lidhur me eficiencën.
“Në dispozicion të këtij qëllimi vendoset një strukturë e specializuar e cila po integrohet në sistemin europian të prokurimeve dhe nga ana tjetër po merr ekspertizë të nivelit të lartë nga institucione të ngjashme duke filluar nga UNOPS, struktura e prokurimeve të SHBA-së që asiston Operatorin e Blerjeve të Përqendruara”, shtoi Rama.
Në këtë drejtim, kryeministri shprehu bindjen se Prokurimi Publik do të jetë një proces model, ndërsa sipërmarrja vendase dhe e huaj do të ketë shumë më tepër qartësi, shpejtësi dhe transparencë absolute.
Duke folur për transparencën që garanton sistemi i Prokurimit të Përqendruar, Rama theksoi se “perceptimi për problematikat e prokurimeve nuk është vetëm një perceptim shqiptar, ashtu siç nuk është vetëm një perceptim shqiptar edhe ai për korrupsionin”.
