Inteligjenca artificiale do të përfshihet në të gjithë procesin e prokurimeve publike, nga hartimi i specifikimeve teknike dhe përllogaritja e fondit limit, deri te kontrolli i ofertave, monitorimi i kontratave dhe pagesat përfundimtare.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë aktivitetit “Prokurojmë për Shqipërinë Europiane”, ku prezantoi drejtimet e reformës së prokurimit publik dhe ndikimin e saj në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit.
Ibrahimaj theksoi se reforma synon kalimin nga një sistem i fragmentuar i prokurimeve në një model të integruar, ku Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) do të administrojë të gjithë ciklin e procesit, nga identifikimi i nevojave të institucioneve dhe analiza e tregut, deri te standardizimi i specifikimeve dhe vlerësimi i rezultateve.
Sipas ministres, prokurimi publik përbën një instrument të rëndësishëm të politikës ekonomike, pasi ndikon drejtpërdrejt në konkurrencën, standardet dhe mundësitë e sipërmarrjes. Në vitin 2025, tregu i prokurimeve publike arriti në 109 miliardë lekë, ose 7,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përmes 5 766 procedurave.
Ajo nënvizoi se një nga ndryshimet kryesore do të jetë planifikimi më i hershëm i nevojave të institucioneve, të cilat do të përmblidhen në një regjistër të konsoliduar prokurimesh. Kjo do t’u japë bizneseve më shumë informacion për kërkesën e shtetit dhe mundësi për të planifikuar kapacitetet prodhuese, furnizimet dhe punësimin.
Një tjetër objektiv i reformës është rritja e konkurrencës dhe produktivitetit përmes standardizimit të katalogëve dhe produkteve e shërbimeve. Sipas Ibrahimajt, ky proces do të ndihmojë veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke krijuar mundësi për pjesëmarrje më të gjerë në procedurat publike.
Bashkimi i nevojave të institucioneve në një strukturë të vetme pritet gjithashtu të krijojë ekonomi shkalle, të ulë kostot administrative dhe të mundësojë kushte më të favorshme blerjeje. Ministrja theksoi se planifikimi më i mirë do të ndihmojë në shmangien e procedurave të përsëritura, anulimeve dhe vonesave në realizimin e investimeve.
“Një investim i vonuar nuk është vetëm një fond i pashpenzuar. Janë para që i mungojnë ekonomisë, janë likuiditete që i mungojnë bizneseve, janë vende pune që nuk krijohen në kohë dhe, mbi të gjitha, janë shërbime që nuk u jepen në kohë qytetarëve”, u shpreh Ibrahimaj.
Duke iu referuar treguesve të vitit 2025, ministrja bëri të ditur se diferenca ndërmjet fondit limit dhe fondit të prokuruar ishte 17 miliardë lekë, ose 13% e fondit limit. Ajo theksoi se synimi i reformës nuk është vetëm sigurimi i çmimeve më të ulëta, por edhe garantimi i cilësisë, afateve të realizimit dhe ndikimit real të shpenzimeve publike në ekonomi.
Përmasat e procesit të ri evidentohen edhe nga planet e OBP-së për vitin 2027, kur parashikohet të prokurohen 179 investime me vlerë rreth 63 miliardë lekë.
Ministrja bëri të ditur se transformimi po realizohet në bashkëpunim me UNOPS-in, me synimin për të përshtatur strukturat dhe praktikat më të mira europiane.
Ajo theksoi se faza e ardhshme e reformës do të jetë përdorimi i inteligjencës artificiale në të gjithë ciklin e prokurimit publik. Teknologjia do të ndihmojë në hartimin e specifikimeve teknike, analizën e tregut, përllogaritjen e fondit limit, plotësimin automatik të dokumentacionit të bizneseve përmes regjistrave shtetërorë, kontrollin e ofertave dhe monitorimin e kontratave deri në pagesën përfundimtare.
Sipas Ibrahimajt, ky transformim synon të reduktojë burokracinë dhe dokumentacionin për bizneset, të minimizojë gabimet dhe të rrisë transparencën dhe eficiencën e shpenzimeve publike, ndërsa vendimmarrja do të mbetet njerëzore, e mbështetur në të dhëna më të plota dhe procese të gjurmueshme.
“Reforma e Prokurimit Publik është reformë e mënyrës se si biznesi ndërvepron me shtetin. Duke përmirësuar mënyrën se si blejmë, ne përmirësojmë mënyrën se si shpenzojmë, se si krijojmë më shumë mundësi për biznesin dhe rrisim ndikimin e çdo leku publik në zhvillimin ekonomik”, përfundoi ministrja.
