Një tjetër vendim gjyqësor rëndon pozitën e Hashim Thaçit në Hagë. Dhomat e Specializuara e kanë dënuar ish-presidentin e Kosovës me 17 muaj burgim në procesin e dytë gjyqësor ndaj tij, këtë herë për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë dhe përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët.
Sipas akuzës, Thaçi kishte organizuar tre grupe personash, të cilëve dyshohet se u kishte përcjellë informacione konfidenciale gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, përgjatë vitit 2023. Prokuroria pretendon se qëllimi ishte pengimi i punës së saj dhe ndikimi në dëshmitë e personave që pritej të dëshmonin në procesin për krime lufte.
Akuzat lidhen me nxjerrjen e informacioneve të mbrojtura, komunikimin e tërthortë dhe mosbindjen ndaj urdhrave të gjykatës, të cilët ndalonin kontaktet me dëshmitarët e Prokurorisë. Mes informacioneve të përcjella dyshohet se kishte edhe të dhëna që lidhen me dëshmitarin e mbrojtur numër 4.
Prokuroria kishte paraqitur si prova kryesore rreth 28 orë regjistrime audio nga nëntë vizita në qendrën e paraburgimit, të kryera me autorizim gjyqësor. Nga ana tjetër, mbrojtja e Thaçit kishte kundërshtuar besueshmërinë e transkripteve dhe interpretimin e bisedave, duke argumentuar se nuk kishte prova që komunikimet e pretenduara kishin ndikuar realisht në dëshmitë e dëshmitarëve.
Pas shpalljes së vendimit, Thaçi tentoi të merrte fjalën, por nuk iu dha mundësia të fliste. Teksa kthehej në vendin e tij, ai u shpreh: “Kjo është politikë dhe jo drejtësi”. Në të njëjtin proces gjyqësor, në bankën e të akuzuarve ndodheshin edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Smakaj dhe Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, por do të lirohen pas përfundimit të seancës, pasi periudha e kaluar në paraburgim mbulon dënimin e tyre. Isni Kilaj u shpall i pafajshëm, ndërsa Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen një vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.
Ky proces është i ndarë nga gjykimi për krime lufte, në të cilin më 16 shtator Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Vendimi për krime lufte është i shkallës së parë dhe nuk ka marrë formë të prerë.
Si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja kanë të drejtë ta apelojnë atë, ndërsa Gjykata e Apelit mund ta lërë në fuqi, ta ndryshojë ose ta anulojë vendimin, si dhe të urdhërojë rigjykimin e çështjes
