Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot (10 qershor) në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje.
“Forcimi i unitetit rajonal për një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt, reflektim mbi 30 vite partneritet dhe progres” ishte tema e këtij samiti që shënon, gjithashtu 30-vjetorin e krijimit të SEECP-së.
Në prani të Presidentëve, Kryeministrave dhe përfaqësuesve të qeverive të shteteve anëtare të këtij procesi, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, forcimit të sigurisë rajonale, bashkëpunimit politik dhe ekonomik dhe lidhjes infrastrukturore dhe qëndrueshmërisë energjetike në rajonin e Evropës Juglindore.
Presidenti Begaj e cilësoi procesin e SEECP-së si nxitës të progresit të vërtetë në të gjithë rajonin tonë dhe një platformë që vazhdon të formësojë të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.
Krah Presidentes së Republikës së Bullgarisë, Iliana Iotova, dhe Ministres së Jashtme të Rumanisë, Oana-Silvia Țoiu, si pjesë e trojkës së Presidencës së SEECP-së, Kreu i Shtetit deklaroi në konferencën e shtypit se thellimi i bashkëpunimit në Evropën Juglindore është domosdoshmëri, eshtë mënyra më efektive për të përmirësuar ndërlidhjen dhe për të krijuar mundësi më të mira për qytetarët tanë.
“Ne po punojmë fort për ndërlidhshmërinë, në mënyrë të veçantë në infrastrukturën strategjike, Korridorin VIII, Porto Romanon, si edhe korridorin Adriatiko-Jonian”, theksoi Presidenti Begaj.
Ai deklaroi se bashkëpunimi rajonal duhet të përkthehet në rezultate të prekshme në infrastrukturë, tregti, lëvizshmëri dhe mundësi për qytetarët, pavarësisht diversitetit të anëtarëve të SEECP-së.
“Ajo që çon përpara një vend, kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithëve”, u shpreh Presidenti Begaj.
Ndërsa renditi sfidat më të cilat përballet rajoni ynë, Presidenti Begaj konfirmoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj bashkëpunimit rajonal si një domosdoshmëri për stabilitetin, për zhvillimin dhe për të ardhmen e përbashkët evropiane.
“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj kësaj rruge. Ne po avancojmë agjendën tonë të reformave dhe po ecim përpara në procesin e anëtarësimit në BE, me objektivin për ta përmbyllur këtë proces brenda kësaj dekade”, u shpreh Presidenti Begaj në lidhje me procesin e anëtarësimit në BE, kur vendi ynë ka hyrë në fazën vendimtare me synim mbylljen e kapitujve të negociatave brenda vitit tjetër.
“Integrimi evropian mbetet objektivi qendror”, u shpreh Presidenti i Republikës, ndërsa konfirmoi se në SEECP ka një mirëkuptim të përbashkët se ky proces duhet të mbetet i besueshëm, i parashikueshëm dhe i bazuar në rezultate.
Kreu i Shtetit nënvizoi se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është thelbësore për stabilitetin e të gjithë rajonit.
Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Sofjes, ndërsa Presidenca e SEECP-së i kaloi zyrtarisht Bukureshtit.
Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e tij për Presidencën e ardhshme rumune të SEECP-së, me bindjen se nën drejtimin e sajky proces do të vazhdojë të sjellë rezultate domethënëse.
Presidenti i Republikës gjatë qëndrimit në Sofje u prit nga Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, me të cilin pati një takim shumë miqësor mbi forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin dypalësh.
Në këtë takim u vlerësuan reformat e ndërmarra nga Shqipëria si edhe u konfirmua mbështetja e Bullgarisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
