Dita e njëmbëdhjetë e protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës u paralajmërua si protestë kombëtare nga grupi koordinues që e lidhi me 10 qershorin, ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” si çdoherë nga këto ditë me thirrjet e zakonshme për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës, hetimin e pasurive të politikanëve dhe kundër shitjes së pasurive kombëtare.
Pas grumbullimit në shesh, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u rigrumbulluar përpara Kryeministrisë.
Qytetarët vijojnë me të njëjtat thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit dhe drejtuesit të opozitës, sikundër dhe me pankarta që sjellin në vëmendje ruajtjen e natyrës dhe problematikat e tjera që i kanë mbledhur së bashku.
“Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëri e re”, “Nesër më shumë”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe të tjera thirrje u dëgjuan në kor nga protestuesit ndërsa ata marshuan në bulevard.
Pas grumbullimit përpara Kryeministrisë, u luajt himni kombëtar. Një nga aktivistet e protestës lexoi një historik të shkurtër për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit duke thënë se aktualisht vendi ndodhet në të njëjtën situatë sikundër 148 vjet më parë kur i rrezikohej integriteti territorial.
“Sot do e bëjmë Shqipërinë një vend për të jetuar me dinjitet”, tha ajo duke vënë në dukje se lidhja e re është kundër politikës së vjetër.
Gazetari Klevi Muka lëxoi një mesazh të shkrimtarit dhe analistit Kim Mehmeti. Më pas protestues të ndryshëm dhanë mesazhet e tyre në foltoren e ngritur enkas për protestës sikundër edhe lexuan poezi të Migjenit.
