Brigitte Bardot, një nga figurat më të njohura të kinemasë franceze dhe simbol i kulturës popullore të shekullit XX, vazhdon të tërheqë interes edhe pas vdekjes së saj.
Sendet e saj personale, nga rrobat dhe këpucët deri te makina e shkrimit dhe objektet e përdorimit të përditshëm, u nxorën në ankand në Paris dhe u shitën për gati 1 milion euro, shumë më tepër nga sa ishte parashikuar fillimisht.
Sendet personale të aktores së njohur franceze, Brigitte Bardot, e cila vdiq në vitin 2025, u shitën për gati 1 milion euro në një ankand në Paris.
Shtëpia e ankandeve “Millon” tha se më shumë se 280 sende u shitën për gjithsej 953,531 euro, duke përfshirë edhe tarifat.
Ankandi zgjati rreth nëntë orë, ndërsa rreth 15 000 njerëz vizituan më herët sallën e ankandit, për të parë sendet personale të aktores.
Në shitje ishin sende nga shtëpitë e Bardot në Saint-Tropez dhe nga apartamenti i saj në Paris.
Këto përfshinin makinën e shkrimit Olivetti, me të cilën ajo shkroi pjesën e dytë të kujtimeve të saj; këpucët e baletit Repetto; portrete; lodra prej pelushi dhe sende të ndryshme që përdorte në jetën e përditshme.
Çmimet e parashikuara për sendet ishin nga 20 deri në 10,000 euro, ndërsa shumica kushtonin më pak se 100 euro.
Të ardhurat nga shitja do t’i shkojnë Fondacionit “Brigitte Bardot” dhe djalit të saj të vetëm, Nicolas-Jacques Charrier.
Bardot u bë e famshme në mbarë botën me filma si “Dhe Zoti krijoi gruan”.
Ajo u tërhoq nga aktrimi në mesin e viteve 1970 dhe më pas iu përkushtua mbrojtjes së kafshëve. Në vitin 1986 themeloi Fondacionin “Brigitte Bardot”.
