Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, foli për keqpërdorim të institucionit për të larguar tematikën nga interesat më jetike të qytetarëve shqiptarë.
Berisha vuri në dukje se këto kohë, qeveritë dhe parlamentet e Europës janë marrë me një seri masash, një breshëri masash për të lehtësuar gjendjen ekonomike, financiare të qytetarëve për shkak të rritjes së madhe të çmimit të naftës dhe çmimeve të tjera në mbarë Europën dhe botën.
Se cila është pasoja e kësaj rritje mbi qytetarët shqiptarë, theksoi ai, mjafton të sillet në vëmendje se taksa kryesore që ata paguajnë nga i sapolinduri tek ai që është në ditën e fundit të jetës së tij, është TVSH-ja.
“Dhe nga TVSH-ja, qeveria e Edi Ramës ka vjelur këto kohë 14% më shumë se sa në muajin paraardhës. E tëra kjo quhet taksë konsumatori, taksë e paguar nga ato qenie të gjalla që konsumojnë. Asnjë rikthim, asnjë lehtësim”, deklaroi Berisha.
Berisha u shpreh se vetëm dje, kryeministri i Greqisë vuri në dispozicion 500 milionë euro për të lehtësuar pasojat e krizës së naftës.
“Përcaktoi 150 euro për çdo fëmijë. Përcaktoi 150 euro për pensionistët nën 300 euro. Këto nuk përfshijnë fermerët, që po e po e kanë të garantuar”, tha Berisha.
Pra, vijoi Berisha, Shqipëria përkundrazi merr dhjetëra milionë euro më shumë nga qytetarët, duke përfituar nga kriza dhe kjo kryekëput falë taksës ndëshkuese të saj mbi naftën.
Berisha solli në vëmendje edhe rastin e Maqedonisë së Veriut, e cila dje e shiste naftën me 150 lekë, ndërsa Shqipëria me 200 lekë në mbarë territorin.
