Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu paraqiti sot në Kuvend interpelancën me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, ku ngriti një sërë pretendimesh dhe kërkoi shpjegime lidhur me krijimin dhe funksionimin e disa kompanive shtetërore dhe private në fushën e industrisë ushtarake.
Gjatë fjalës së tij, Balliu u shpreh se krijimi i një kompanie shtetërore në sektorin e mbrojtjes, e lidhur sipas tij me kompani private, po shoqërohet me “praktika që cenojnë interesin kombëtar dhe përdorimin e fondeve publike”.
Ai përmendi kompaninë “Kayo” sh.p.k., për të cilën ngriti dyshime mbi mënyrën e bashkëpunimit me subjekte të tjera private në këtë sektor.
Sipas Balliut, Kuvendi ka miratuar në vitin 2024 ligjin për krijimin e një kompanie shtetërore në fushën e prodhimit dhe tregtimit të pajisjeve ushtarake, me drejtues ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Ai tha se qëllimi i deklaruar i kësaj nisme ishte forcimi i kapaciteteve shtetërore në industrinë e mbrojtjes.
Megjithatë, deputeti demokrat pretendoi se zhvillimet pas miratimit të ligjit kanë krijuar, sipas tij, “dyshime për afera korruptive”, duke përmendur bashkëpunime mes kompanive “Kayo” dhe “Timak Defence”, si dhe kompani të tjera të lidhura me sektorin e mbrojtjes.
Balliu ngriti gjithashtu pretendime për pjesëmarrje të kapitalit privat në kompani të përbashkëta me struktura shtetërore dhe për përfitime nga kontrata publike në vlera të konsiderueshme.
Ai foli gjithashtu për bashkëpunim të kompanisë Kayo me kompani të huaja dhe ndryshime pronësie në subjekte të ndryshme.
“Kayo ka bashkëpunuar me “Timak shpk” të zonjës Arjeta Puca, një zonjë e promovuar shumë herë nga kryeministri dhe e ftuar edhe në podcastin e tij. Me këtë kompani, “Kayo shpk” vendos të bashkëpunojë për të krijuar një kompani tjetër që do të quhej “Timak Defence”. Por çfarë ndodh me këtë kompani që deklaronte dhjetëra miliona euro? 49% e kompanisë i shitet Ron Yeffet, mik i Edi Ramës, një njeri që ka ardhur dhe ka kërkuar edhe të shlyejë borxhin e Shqipërisë, që bashkëpunon edhe me biznesmenë të niveleve më të larta ruse, një njeri që është nën hetim për afera korruptive të mëdha, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, dhe që është përfshirë në çështje gjyqësore ndërkombëtare me biznesmenin amerikan. Ky njeri blen 49% të kompanisë për vetëm 450 euro, ndërkohë që kompania deklarohej me xhiro miliona euro. Pas katër muajsh nga hyrja e Ron Yeffet, krijohet “Timak Defence”, e cila tre muaj më vonë merr 10.5 milionë euro tender nga Ministria e Mbrojtjes. Pra, investohen 450 euro për 49% të një kompanie dhe brenda pak muajsh merren miliona euro tendera”, deklaroi Balliu.
Kayo shpk, sipas tekstit, nisi aktivitetin me vrull dhe pas krijimit të kompanisë ka nisur sulme ndaj mediave. “News 24” thuhet se është sulmuar për t’i marrë godinat dhe për t’i përvetësuar zyrat, në një kohë që televizioni po denonconte kompaninë.
Në deklaratën e tij, Balliu kërkoi sqarime nga ministri i Mbrojtjes lidhur me kriteret e krijimit dhe funksionimit të këtyre kompanive, si dhe mënyrën e dhënies së kontratave publike në këtë sektor.
“Sipas ligjit, kur është krijuar Kayo shpk janë vendosur disa kritere të firmosura nga Belinda Balluku si zëvendëskryeministre, ku kërkohej që kriteret të ishin të përcaktuara dhe të ndiqeshin. Kriteret përcaktonin që duhej një buxhet prej 15 milionë eurosh dhe rreth 400 punonjës, ndërkohë që kompania nuk i kishte këto kapacitete”, deklaroi Balliu.
