Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion të suksesshëm kundër një rrjeti të organizuar prostitucioni, duke arrestuar tetë persona, mes tyre një punonjëse policie, dhe duke shpallur në kërkim tre të tjerë. Operacioni u krye pas një hetimi disa mujor, i cili zbuloi një skemë të sofistikuar që shfrytëzonte gra të huaja nga Amerika Latine për prostitucion në kryeqytet.
Në mesin e të arrestuarve janë shtetas shqiptarë dhe të huaj, përfshirë edhe efektiven e policisë Anisa Brahja, e cila dyshohet se luante një rol kyç në sigurimin e klientëve. Ndërkohë, drejtuesja kryesore e rrjetit, një shtetase kolumbiane me inicialet G.R., është shpallur në kërkim, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë.
Sipas policisë, grupi kriminal bashkëpunonte ngushtë për të sjellë gra nga Kolumbia dhe për t’i akomoduar në apartamente me qira në Tiranë, kryesisht përmes platformave si Airbnb. Çmimet për shërbimet e tyre varionin nga 200 deri në 250 euro për klient, duke e bërë këtë rrjet një nga më të sofistikuarit të zbuluar në vitet e fundit.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuza të shumta, përfshirë “Trafikim të personave të rritur”, “Shfrytëzim të prostitucionit” dhe “Mbajtje e lokaleve për prostitucion”. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e anëtarëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.