Alarm në Kopshtin nr. 10 në Vlorë, ku disa fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi.
Rastet janë konstatuar mbrëmjen e kaluar, pasi të miturit kanë shfaqur dhimbje barku dhe të vjella të vazhdueshme.
Shtatë fëmijë janë paraqitur për ndihmë mjekësore në pediatrinë e Spitalit Rajonal të Vlorës. Pesë prej tyre janë shtruar dhe vijojnë të marrin trajtim mjekësor, ndërsa disa prindër të tjerë kanë raportuar të njëjtat simptoma te fëmijët e tyre, të cilët janë trajtuar në banesë.
Në një njoftim zyrtar, Spitali Rajonal i Vlorës bën me dije se gjatë ditës së djeshme janë paraqitur katër raste pediatrike me simptoma të gastroenteritit, ndërsa ditën e sotme është regjistruar edhe një rast tjetër.
Pas evidentimit të rasteve, është njoftuar Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Vlorë, specialistët e së cilës kanë mbërritur në spital dhe kanë marrë mostrat përkatëse për analiza laboratorike.
Ndërkohë, po vijon hetimi epidemiologjik dhe vlerësimi laboratorik për të përcaktuar shkakun e simptomave. Spitali, në bashkëpunim me strukturat e shëndetit publik, po monitoron situatën dhe po ndjek procedurat përkatëse.
Një rast i ngjashëm u raportua rreth një muaj më parë edhe në Korçë.
