Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se transformimi i administratës publike është një proces jashtëzakonisht kompleks dhe i vështirë.
Në fjalën e tij në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane, Rama tha se “transformimi i administratës kërkon diçka që bota sot dhe për më tepër Shqipëria sot dhe shqiptarët sot e kanë gjithmonë e më pak, kërkon kohë”.
“Kërkon kohë sepse bëhet fjalë për krijimin e mekanizmave që lidhen me njerëz, me shumë njerëz, dhe besoj që po të kthehemi një moment mbrapa dhe të kujtohemi që ligji i parë themelor i administratës tonë publike është aprovuar afro 1 dekadë më parë atëherë ne mund të kuptojmë se çfarë transformimi ka ndodhur në shërbimin tonë civil”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “për të gjithë ata që na ndjekin është e rëndësishme të bëjmë dallimin kur ne flasim për administratë publike kemi parasysh shërbimin civil ku përfshihen më pak se 10 mijë, ndërkohë që në numrin e përgjithshëm të administratës ne kemi mijëra dhjetëra të tjerë që janë pjesë e administratës shtetërore”.
“Nuk është i njëjti nivel dhe kjo nuk është unike vetëm në Shqipëri, por është në shumë vende. Në administratën publike ku gjendet gjithë ai burim njerëzor që na ka mundësuar ecurinë shembullore me procesin e negociatave ne kemi sot një kualitet të ri në administratës shtetërore. Ne kemi sot një sfidë shumë të madhe përballë qytetarëve sepse qytetarët kanë të drejtën e tyre të jenë shumë më kërkues dhe të trajtohen shumë më mirë në shumë raste”, tha Rama.
