Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përfunduar vlerësimin periodik të Shqipërisë për vitin 2026, lidhur me ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, pas takimit me përfaqësuesit e misionit të FMN-së, bëri të ditur se vlerësimi evidenton tri zhvillime kryesore pozitive të ekonomisë shqiptare që konsiston në rritjen e fortë ekonomike, uljen e borxhit publik dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit.
Sipas ministrit Malaj, këta tregues dëshmojnë për një ekonomi më të qëndrueshme dhe më të përgatitur për t’u përballur me goditjet e mundshme nga jashtë.
“Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi vlerësimin periodik të Shqipërisë për vitin 2026 mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë. Ekipi i FMN-së vlerëson rritjen e fortë ekonomike të Shqipërisë, borxhin publik në ulje, si dhe aftësinë e ekonomisë shqiptare, për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Të tre këto elementë i mundësojnë ekonomisë shqiptare që të jetë më e përgatitur për t’u përballur me goditje që mund të vijnë nga jashtë”, tha ndër të tjera Malaj.
Ministria e Financave do të vijojë të ndjekë politika fiskale të kujdesshme, duke synuar një shpërndarje më të drejtë të shpenzimeve buxhetore dhe avancimin e reformave ekonomike e financiare që mbështesin procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Për vitin 2026, FMN-ja pret rritje ekonomike rreth 3.5 për qind dhe inflacion pak mbi 3.4 për qind. Stafi rekomandon kujdes me shpenzimet buxhetore dhe reforma më të shpejta për drejtësinë, tregun e punës dhe integrimin europian.
Misioni i FMN-së zhvilloi një takim edhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili theksoi se ekonomia vijon të tregojë qëndrueshmëri, ndërsa Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.