Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se miratimi i buxhetit të ri dëshmon thellimin e krizës ekonomike dhe sociale në vend.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha tha se cilësoi buxhetin e miratuar në Kuvend si “vjedhjen më të madhe në historinë e vendit”.
Ai tha se rreth 10 miliardë euro të ardhura nga taksat e qytetarëve nuk kthehen në shërbime dhe mirëqenie për ta, por shpërdorohen nga qeveria.
“Java ishte një javë tejet e zymtë, javë në të cilën kriza u thellua edhe më shumë. Javë në të cilën buxheti i narkoqeverisë u provua në parlament si buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e të gjitha buxheteve të vendit. 10 miliardë euro taksa, mund, djersë dhe përpjekje tuaja, jo vetëm nuk u rikthehen ju, por përkundrazi vidhen dhe shpërdorohen në mënyrën më të papërmbajtur”, tha ai.
Berisha u ndal edhe te rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të ardhurat e familjeve shqiptare, duke iu referuar të dhënave që sipas tij tregojnë se Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave të disponueshme në rajon dhe se mbi 30 për qind e shqiptarëve përballen me vështirësi për sigurimin e ushqimit.
“Ndërkohë muajin e kaluar, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën pesë herë më shumë se në hapësirën e BE. Ndërkohë, EUROSTAT informon se të ardhurat e disponueshme për familjet shqiptare janë më të paketat në rajon. Informon se mbi 30 përqind e shqiptarëve kanë probleme me kafshatën e gojës”, tha ai.
Berisha tha se qeveris “ka përcaktuar në këtë buxhet 930 milionë para xhepi për administratën e tij, për telefona, zyra, vetura, lukse, ahengje, darka dhe dreka”.
Sipas Berishës, këto fonde mund të përdoreshin për rritjen e pagave, vendosjen e minimumit jetik dhe indeksimin e pensioneve në përputhje me rritjen e çmimeve.
Ai tha se Partia Demokratike ka paraqitur propozimet e saj për mbështetjen ekonomike të qytetarëve.
“PD ka paraqitur dhe do paraqesë projektin e vet për mbështetjen e qytetarëve. Natyrisht asgjë prej propozimeve tona nuk pranohet, por janë shqiptarët që e kanë në dorën e tyre të largojnë sa më shpejt këtë narkoshtet dhe narkoqeveri grabitqare në mënyrë që pasuritë publike t’i shndërrojmë më të mira dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë”
