Një krim i rëndë ka tronditur Italinë, ku 22-vjeçarja shqiptare Ilaria Sula është gjetur e vrarë dhe e futur në një valixhe që u hodh në një zonë të pyllëzuar në Poli. Autor i dyshuar i ngjarjes është 23-vjeçari Marc Samson, ish-i dashuri i Ilaria-s, i cili ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar se ka hedhur telefonin e viktimës në një pusetë në përpjekje për të fshehur provat. Samson është arrestuar për vrasje dhe fshehje të trupit.
Policia ka arritur të lokalizojë autorin përmes tabulateve telefonike, pasi ai dyshohet se përdori celularin e Ilaria-s për të postuar në rrjetet sociale pas zhdukjes së saj. Ky veprim ka çuar në ndalimin e tij, duke bërë të mundur lidhjen e tij me ngjarjen e tmerrshme.
Vëllai i viktimës, Leoni Sula, ka shpërndarë detaje lidhur me momentet e fundit me motrën e tij. Ai ka treguar se e ka parë Ilaria-n për herë të fundit më 23 mars, kur ajo e vizitoi në Terni. Leoni tha se Ilaria ishte e qetë dhe nuk kishte treguar asnjë shqetësim apo problem, përkundrazi kishte lënë të kuptohej se gjithçka ishte në rregull. Pas asaj vizite, ai mori disa mesazhe prej saj, por ai nuk është i sigurt nëse ato janë dërguar nga vetë Ilaria. Kjo ka krijuar dyshime tek ai dhe familja, pasi ato mesazhe mund të jenë dërguar nga ndonjë person tjetër që po përdorte celularin e saj.
Ai gjithashtu ka konfirmuar se Ilaria dhe Marc kishin pasur një lidhje për rreth një vit, por kishin vendosur të ndaheshin para se të ndodhte ngjarja tragjike. Vëllai ka shprehur dyshime të mëdha dhe pyetje për arsyen e krimit, duke thënë se vetëm Marc e di vërtet arsyen e këtij akti të tmerrshëm.
Ky ngjarje ka tronditur familjen e viktimës dhe ka lënë shumë pyetje pa përgjigje për natyrën e lidhjes mes dy të rinjve dhe shkaqet që çuan në këtë vrasje të rëndë.