Vallja e Osman Takës përfshihet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Gonxhja e cilëson vallen si një prej shprehjeve më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një simbol të identitetit çam.
E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja karakterizohet nga lëvizje të fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen vlera si trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.
Sipas ministrit, përfshirja në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale përbën një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe përcjelljen ndër breza të kësaj pasurie të kulturës shqiptare.
Postimi i ministrit Gonxhja:
Një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza.
E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.
Përfshirja e saj në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale është një tjetër hap në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj pasurie të çmuar të kulturës shqiptare.
Rama: Vallja e Osman Takës shpreh trimërinë dhe shpirtin e lirë…
Reagimi erdhi dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili thotë se kjo valle është simbol i krenarisë dhe qëndresës së një tradite që është përcjellë ndër breza.
“Simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza. E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, ajo ndërthur forcën dhe elegancën, duke shprehur trimërinë, sakrificën, solidaritetin dhe shpirtin e lirë”, tha Rama.
