Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se televizionet me licencë jokombëtare i kushtojnë më shumë kohë mazhorancës sesa opozitës.
Në një deklaratë për mediet, Berisha theksoi se “kemi bërë një studim tjetër të medieve me licencë jokombëtare, të cilat për fat të keq ndjekin në një mënyrë ose në një tjetër ato kombëtare. Pra, në këto media, siç e shihni, për qeverinë transmetojnë 58%, për opozitën 41%”.
Berisha tha se “terri informativ dhe censura janë tipare kardinale të diktaturave dhe regjimeve autoritare, narkodiktaturave”.
“Para jush kemi paraqitur në mënyrë të përsëritur mediat e quajtura kombëtare, që për qëndrimet që mbajnë ndaj parimeve demokratike, janë antidemokratike dhe antikombëtare, të cilat në mënyrë të pamëshirë dhe në verbëri të plotë i kushtojnë Padrinos dhe organizatës së tij kriminale rreth 80-90 % të të gjithë kapacitetit të tyre informativ, debat, editorial, etj”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së i bëri thirrje mediave të reflektojnë mbi mënyrën e përllogaritjes së kohës televizive për përfaqësuesit politikë, duke kërkuar që daljet e ish-anëtarëve të PD-së, të cilët sipas tij mbështesin qeverinë, të mos regjistrohen si minutazh i opozitës.




