Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, por u shpreh se do të donte shumë shpejt një marrëveshje.
“Kjo është një kohë vërtet kritike për Iranin dhe për vendin e tyre. Do të doja shumë të shihja një marrëveshje të fortë paqeje. Por do të thoja se kjo është periudha më e rëndësishme në historinë e Iranit. Ata kanë sasi të mëdha nafte dhe asetesh. Por ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Dhe nëse zgjedhin të ndjekin një rrugë tjetër, do të jetë një gjë shumë e trishtueshme dhe është diçka që ne nuk duam ta bëjmë”, tha Presidenti Trump.
Nga ana tjetër edhe Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi në fillim të javës progresin në bisedimet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara me Presidentin iranian Masoud Pezeshkian, tha Kremlini. Putin tha se Rusia ishte e gatshme të lehtësonte dialogun midis Iranit dhe SHBA-së për të arritur një marrëveshje të drejtë.
Vendet perëndimore thonë se programi bërthamor i Iranit është i orientuar drejt prodhimit të armëve, ndërsa Irani këmbëngul se ai është thjesht për qëllime civile. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili tërhoqi SHBA-në nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, ka kërcënuar të bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje.