Pekini po “vlerëson” një ofertë nga Uashingtoni për të zhvilluar bisedime mbi tarifat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Në një deklaratë Ministria e Tregtisë e Kinës sinjalizoi një ulje të mundshme të tensioneve në luftën tregtare që ka tronditur tregjet globale. Shtetet e Bashkuara i janë drejtuar Kinës me bisedime per çështjen e tarifave prej 145% të Trump. Pas kësaj kërkese Pekini ka bërë të ditur se dera është e hapur për diskutime.
SHBA-të duhet të jenë të përgatitura të ndërmarrin veprime për të “korrigjuar praktikat e gabuara” dhe për të anuluar tarifat e njëanshme, tha Ministria e Tregtisë në një deklaratë, duke shtuar se Uashingtoni duhej të tregonte “sinqeritet” në negociata. “SHBA-të kohët e fundit kanë marrë iniciativën në shumë raste për t’i përcjellë informacion Kinës përmes palëve përkatëse, duke thënë se shpresojnë të flasin me qeverinë kineze”, thuhet në deklaratë.
Kina ka mohuar vazhdimisht se po kërkon të negociojë një marrëveshje për tarifat me Shtetet e Bashkuara, duke u dukur sikur Uashingtoni bën hapin e parë. Vendimi i Trump për të vendosur tarifa importi prej 145% vjen në një kohë veçanërisht të vështirë për Kinën, e cila po përballet me deflacion për shkak të rritjes së ngadaltë ekonomike.
Nga ana e tyre zyrtarët amerikanë, përfshirë Sekretarin e Thesarit Scott Bessent dhe këshilltarin ekonomik të Shtëpisë së Bardhë Kevin Hassett, kanë shprehur gjithashtu shpresë për përparim në lehtësimin e tensioneve tregtare. “Jam i bindur se kinezët do të duan të arrijnë një marrëveshje. Ky do të jetë një proces me shumë hapa. Së pari, duhet të ulim tensionet dhe pastaj do të fillojmë të përqendrohemi në një marrëveshje më të madhe tregtare”, tha Bessent në një intervistë me Fox Business Netëork këtë javë.
Trump tha në fillim të kësaj jave se besonte se ka një “shans shumë të mirë” që administrata e tij të arrinte një marrëveshje me Kinën, pasi Presidenti Kinez Xi Jinping u bëri thirrje zyrtarëve të ndërmarrin veprime për t’u përshtatur me ndryshimet në mjedisin ndërkombëtar, pa përmendur në mënyrë të qartë Shtetet e Bashkuara.