Media italiane Il Messagero i ka kushtuar një shkrim vizitës
së kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila ndodhet në Shqipëri për të
kaluar disa ditë pushimi, gjë që sipas tyre mund të sjellë edhe një favorizim
të vendit në negociatat me BE.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i është bashkuar rreth
500 mijë italianëve të tjerë, të cilët sipas kryeministrit Edi Rama këtë vit
kanë zgjedhur të kalojnë detin Adriatik për të kaluar disa ditë pushimi në
brigjet mes Vlorës, Durrësit dhe Sarandës.
Meloni u largua nga ferma Ceglie Messapica në Brindisi me
vajzën e saj Ginevra dhe partnerin Andrea Giambruno ku ndodhej prej disa ditësh
dhe në orët e para të pasdites u nis me një traget për në Shqipëri.
“Një vizitë private”, shpjegon Palazzo Chigi, gjatë së cilës
Meloni do të jetë megjithatë mysafire e vetë Ramës në rezidencën e tij verore.
Prandaj, është e pamundur të përjashtohet që të dy, gjatë darkës së djeshme apo
gjatë ditës së sotme mund të kenë diskutuar disa nga çështjet që janë të
dashura për të dy vendet.
Nga stabiliteti i Ballkanit dhe rastet e emigrantëve, deri
tek tregtia vazhdimisht në rritje, nga dyfishimi i gazsjellësit Tap tek hyrja e
Tiranës në Bashkimin Evropian, ku Italia ka qenë gjithmonë sponsorja kryesore
në Bruksel.
Aq sa ka nga ata që besojnë se Roma mund të mendojë për hyrje
të reja, duke veçuar Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia, për ta
favorizuar atë në procesin e integrimit.