Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, së bashku me Ambasadorin e BE-së për Shqipërinë, Silvio Gonzato, zhvilluan një takim në ambientet e KQZ-së, e cila u mbajt rreth 1 orë.
Në fokus të diskutimeve ishin përgatitjet për procesin zgjedhor më 11 Maj.
Pas këtij takimi, dyshja mbajti komunikim për mediat në ambientet e jashtme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga ku Celibashi u shpreh se unioni evropian mbështet procesin zgjedhor në vend, si dhe në veçanti KQZ-në. Celibashi shtoi i sigurt se mbështetja ndaj KQZ-së do të vijojë e pas zgjedhjeve të 11 Majit. Sakaq, kreu i KQZ bëri thirrje institucioneve publike dhe partive politike për qëndrim të denjë që të rezultojë në zgjedhje me integritet.
“Tha jemi në një proces të vazhdueshëm e në mbështetje nga delegacioni i BE dhe BE, për procesin zgjedhor në tërësi në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë të KQZ-së, që me siguri do të vazhdojë edhe pas këtyre zgjedhjeve. Ndamë së bashku të njëjtën pikëpamje mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Shqipëria është në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit evropian dhe ndaj është i nevojshëm që secili prej nesh, institucionet publike, përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por edhe partitë politike do duhet të reflektojnë përgjegjësitë e tyre për të patur zgjedhje me integritet”, tha Celibashi.
Për bashkëpunimin e KQZ-së me SPAK-un lidhur me krimet zgjedhore, Celibashi u shpreh se mes dy institucioneve ka pasur komunikim të vazhdueshëm, e se janë vënë në dispozicion çfarë është kërkuar nga njëra-tjetra.
“Ne kemi pasur thuajse komunikime të përditshme me SPAK për denoncime të bëra në këtë strukturë, por edhe informacione të cilat kanë ardhur në KQZ. Do duhet ta bëj me dije që brenda 24 orësh ja kemi dalë, le të themi, që të vendosim në dispozicion çfarë është kërkuar”, tha ai.
Lidhur me raportin paraprak të OSBE-ODIHR për procesin zgjedhor në Shqipëri, Celibashi e ka “përqafuar”, duke u shprehur se çdo gjë e thënë prej tyre qëndron.
“Që prej 2001, kur në një mënyrë ose në një tjetër jam angazhuar me zgjedhjet, kam vlerësuar që reputacioni dhe integriteti i ODIHR dhe fakti që është arbitër, i pranuar nga të gjitha palët për gjykimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Çdo gjë që ata thonë, për mua qëndron”, shprehet ai.
Sakaq, për votuesit e diasporës të cilët janë ankuar me video në rrjete sociale, Celibashi u ka bërë thirrje që të adresojë problematikat e hasura në KQZ, në mënyrë që të marrin zgjidhje. Kreu i KQZ-së njoftoi se deri më sot, në institucion janë raportuar zyrtarisht 156 raste problematike nga diaspora.
“Nuk e di se si janë të djathtë a të majtë që ankohen jo vetëm për procesin e votimit nga jashtë, por në përgjithësi për procesin zgjedhor. Nëse dikush ka shqetësime në lidhje me procesin e votimit nga jashtë, ka vetëm një mënyrë për ta adresuar shqetësimin e vet. Ta depozitojë këtë shqetësim në KQZ, nëpërmjet llogarisë që gjithësecili ka në PER. Unë nuk jam në gjendje të them se sa në rrjete sociale janë ankuar, por në KQZ deri tani, janë vetëm 7 votues të cilët kanë deklaruar që nuk e kanë marrë fletën e votimit. Në total numri i problematikave të raportuara në KQZ në lidhje me votimin nga jashtë, është 156”, shprehet kreu i KQZ.
Për ata që nuk kanë mundur të votojnë nga jashtë deri më tani, Celibashi njofton se kanë afat deri më 8 Maj, që të tërheqin zarfin nga zyrat e DHL-së.
“Gjej rastin të rikonfirmoj edhe një herë publikisht, që DHL ka detyrimin që të mbajë në zyrat e saj, zarfet të cilat nuk kanë mundur t’ja dorëzojë votuesit, apo dhe votuesi nuk ka mundur ta tërheqë, deri në datën 8 Maj”, njoftoi Celibashi.