Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një takim me fermerët e Dimalit.
Duke prezantuar programin qeverisës të kësaj force politike, Berisha u shpreh se qëllimi i këtij plani është shpërblimi i punës së bërë prej fermerëve shqiptarë, por dhe gjithë qytetarëve të tjerë. Sipas tij, ka si qëllim rritjen e mirëqënies së fermerëve shqiptarë, e të jetë në nivele të barabarta me shtetet përreth nesh.
Kryedemokrati tha se gjatë 12 viteve të qeverisjes aktuale, fermerët shqiptarë janë diskriminuar e janë ndëshkuar me buxhete subvencione të ulëta.
“Unë vij sot tek ju për të parashtruar programin tonë me të cilin duam të garantojmë çdo fermer, se ky program ka si qëllim më kryesor suksesin e rritjen e mirëqenies të fermerëve shqiptarë, të cilët ndërtojnë jetën e tyre në lumenj djerse, mundi e sakrificash. Do bëjmë gjithçka që këto sakrifica të japin më shumë për ju, familjen tuaj e për vendin. Ky është qëllimi i programit tonë.
Ne konsiderojmë diskriminim që ju bënë ju këto 12 vite. Një diskriminim të pafalshëm. Fermerët mjafton tju them një shifër. Nëse fermerët në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi merr sot 5 herë më shumë se ju subvencione, ky është diskriminim e ndëshkim për ju. Pse është ndëshkim se hapja e tregut ju bën të pamundur ju të konkurroni me ata”, tha Berisha.
Premtimi i Berishës për fermerët është shndërrimi i buxhetit për ‘ta nga 32 milionë euro në 230 milionë euro
“Buxheti i shtetit ka lënë këtë vit për fermerin, 32 milionë euro. Shuma më qesharake, më e turpshme, 32 milionë euro. Subvencion për të gjitha për ju, në një kohë kur Maqedonia e ka 220 milionë, Kosova e ka 4-5 herë më të madh se ne, Serbia gjer 7-8 herë më të lartë. Ne nga 32 do kalojmë në 230 mln, me të cilat do subvencionojë çdo fidan, çdo kokë lope. Ky do jetë zotimi ynë solemn për ju”, u shpreh kryedemokrati.