Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Klodian Braho në një konferencë të përbashkët për shtyp me Antimafian e Barit ndau sot rezultatet hetimore për goditjen e një grupi me aktivitet kriminal.
Duke iu referuar operacionit të fundit që çoi në lëshimin e 15 masave të sigurisë, Braho tha se “ky operacion është rezultat i një hetimi të përbashkët, të gjatë dhe të koordinuar të zhvilluar në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore”.
“Në vijim të hetimeve për këtë çështje, janë siguruar nga të dy autoritetet 15 masa sigurimi personale, 10 prej të cilave janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Një element shumë i rëndësishëm i këtij rasti nuk është vetëm goditja e krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, por edhe goditja e produkteve dhe pasurive që kanë rrjedhur nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike”, tha Braho.
Kreu i SPAK tha se gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar rreth 1 milion euro para cash.
“Po ashtu, me vendim të Gjykatës së Posaçme në Tiranë, pas kërkesës së prokurorisë, janë sekuestruar pasuri të tjera, përfshirë shoqëri tregtare, automjete dhe llogari bankare, të cilat dyshohet se burojnë nga aktivitete kriminale. Ky rezultat dhe kjo skuadër nuk vijnë si pasojë e një terreni bosh, por janë vazhdimësi e një historiku të disa skuadrave hetimore të mëparshme mes Prokurorisë së Barit dhe asaj shqiptare, të cilat kanë prodhuar rezultate konkrete”, vijoi ai.
Braho nënvizoi se “operacionet e mëparshme të titulluara “Shpirti”, “Ura” dhe “Kulmi”, kanë çuar në dënimin penal të rreth 170 personave, ndërsa për 145 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme, nga 12 deri në 18 vite burg”.
“Këto të dhëna tregojnë se bashkëpunimi mes SPAK dhe autoriteteve italiane ka dhënë rezultate të qëndrueshme në gjykatë, ka goditur pasuritë kriminale dhe ka dobësuar kapacitetin ekonomik të krimit të organizuar”, tha Braho.
Ai shtoi se “bashkëpunimi i sotëm, por edhe ai disavjeçar mes SPAK dhe Prokurorisë së Barit, përbën një ndër shembujt më të mirë të bashkëpunimit gjyqësor që SPAK ka zhvilluar gjatë viteve të fundit”.
“Skuadrat e përbashkëta hetimore mund të jenë një mjet efektiv në goditjen e krimit të organizuar transnacional. Kur ekziston klima e bashkëpunimit reciprok, vullneti institucional dhe angazhimi i përbashkët, rezultatet hetimore janë të arritshme dhe ndjekja penale mund të jetë efektive”, cilësoi Braho.
