Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka theksuar rëndësinë e dialogut dhe të pjesëmarrjes qytetare në jetën publike, në një reagim lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë javëve të fundit.
Në një prononcim për mediet nga Elbasani, Tarran u shpreh se dhuna nuk është pjesë e demokracisë.
“Ajo që kam vënë re gjatë javëve apo muajve të fundit është mungesa e dialogut. Njerëzit kanë përshtypjen se zëri i tyre nuk dëgjohet dhe se mendimi i tyre nuk merret në konsideratë”, deklaroi ambasadori.
Ai theksoi se çdo mundësi për dialog dhe konsultim duhet të mbështetet, veçanërisht në një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe forcimin e institucioneve demokratike.
“Ne jemi këtu, ju si shqiptarë, si organizatorë dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, dhe ne si partnerë e mbështetës ndërkombëtarë, për të forcuar kanalet ekzistuese dhe për të krijuar mundësi të reja për dialog”, u shpreh Tarran.
Sipas tij, demokracia nuk kufizohet vetëm te procesi zgjedhor, por kërkon angazhim të vazhdueshëm të qytetarëve në debatet publike dhe në vendimmarrje.
“Demokracia nuk është vetëm të votosh një herë në katër vjet, por është një proces i përditshëm, një mundësi që u jepet të gjithëve që dëshirojnë të marrin pjesë në jetën publike dhe në vendimmarrje, ku mendimi i tyre është i rëndësishëm”, tha ambasadori i OSBE-së.
Tarran nënvizoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të hapësirave ku qytetarët, veçanërisht të rinjtë, mund të shprehin mendimet e tyre dhe të marrin pjesë në diskutimin e çështjeve me interes publik.
Ai përmendi në këtë kontekst aktivitetin e zhvilluar në Elbasan, ku parashikohen 55 panele diskutimi për çështje të ndryshme.
“Më pëlqen edhe emri i aktivitetit, ‘Thuaje’, sepse i fton qytetarët të shprehin mendimet e tyre për çështje të ndryshme”, u shpreh Tarran.
I pyetur për protestat e fundit në Tiranë dhe raportimet për përdorimin e forcës nga efektivët e policisë ndaj protestuesve, përfshirë studentë dhe të mitur, ambasadori theksoi se dhuna nuk duhet të jetë pjesë e jetës demokratike.
“Mendoj se kjo çështje nuk mund të komentohet pa komentuar dhunën tjetër. Dhuna, në përgjithësi, nuk mund të jetë pjesë e jetës demokratike dhe as e një shteti demokratik, siç është Shqipëria”, deklaroi ai.
Tarran u shpreh se i vjen keq për incidentet e dhunshme të regjistruara në kryeqytet gjatë javëve të fundit.
“Na vjen shumë keq që ka pasur kaq shumë incidente të dhunshme në Tiranë gjatë javëve të fundit”, përfundoi ambasadori i OSBE-së në Shqipëri.
