Lavrov rubio afp xrwma 770x432

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të rinisin bisedimet në Stamboll më 10 prill lidhur me rihapjen e misioneve diplomatike përkatëse.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce u tha gazetarëve se delegacionet nga Moska dhe Uashingtoni do të mbajnë rundin e dytë të konsultimeve  të përqendruara në operacionet e ambasadave.

Bruce tha se asnjë temë politike apo e sigurisë nuk është në agjendën e bisedimeve, duke shtuar se lufta në Ukrainë “absolutisht nuk do të jetë” çështje e diskutimit.

“Këto bisedime janë krejtësisht të përqendruara vetëm në operacionet e ambasadave tona, jo normalizimi i raporteve dypalëshe, që mund të ndodhë, siç kemi thënë, kur të ketë paqe mes Rusisë dhe Ukrainës”, tha ajo.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, më herët ka deklaruar se delegacioni rus do të udhëhiqet nga ambasadori rus në SHBA, Aleksandr Darchiyev, ndërkaq delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga zëvendësndihmës sekretarja e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Sonata Coulter.

Tensionet mes dy shteteve kanë çuar në kufizime të punës diplomatike në kryeqytetet përkatëse. Shumë diplomatë nga të dyja palët janë kthyer në atdhe, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights