WhatsApp Image 2026 04 14 at 11.03.05 AM

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është  kantier i madh transformimesh që e fton diasporën për pjesëmarrje në investime, në inovacion dhe në jetën akademike e ndërtimin e së ardhmes.

Në sesionin e hapjes së samitit IV të Diasporës, Rama nënvizoi rolin e patjetërsueshëm të diasporës në zhvillimin e vendit.

“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori, por jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën dhe ndjenjën e pakthyeshme të përkatësisë të tyre kombëtare. Ka pasur një kohë jo shumë të largët kur shqiptarët iknin nga atdheu duke marrë me vete guximin e atij që nuk ka gjë për të humbur”, u shpreh Rama.

Por, sipas tij, atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme, koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme.

“Diaspora shqiptare nuk është një histori ikjeje. Ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerë e shtuar e Shqipërisë. Mes dallgësh dhe të përpjetash të frikshme shqiptarët ndërtuan jetën në vende që nisën t’i njohin ata jo përmes stereotipeve, por përmes dobisë së tyre, ndërkohë që Shqipëria mbetej një vrimë e zezë në parafytyrimin e të tjerëve”, tha Rama.

Përtej historive individuale të suksesit, Rama tha se diaspora mbart fillin e padukshëm që na lidh të tërëve në këtë tokë që asnjë distancë nuk e këput, gjuha shqipe.

Rama theksoi se “ky fill është aseti ynë strategjik, forca e madhe përbashkuese që kombi ka dhe sfida që Shqipëria dhe shqiptarët kanë sot për ta mbajtur e ruajtur”.

Ky samit, sipas tij, nuk është një mbledhje ceremoniale por është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta dhe mishërim i bindjes sonë që diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare, por në qendrën e saj.

“Vendi ndodhet në kantier transformimesh dhe si në çdo kantier edhe në kantierin e Shqipërisë 2030 në BE ka pluhur, pisllëk, zhurmë ndonjëherë shurdhuese. Por mjafton të kthejmë kokën pas në kohën kur filluam të mendonin për Samitin e parë të Diasporës për të vijuar punën kolosale që kemi nisur atëherë”, shtoi Rama.

Sot, vijoi ai, Shqipëria ndodhet në fazën e ndërtimit të asaj që ka qenë boshti i bisedës sonë shekullore, rrugës së lidhjes përfundimtare në atë anë të botës ku dielli lind andej nga perëndon.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights