Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot projektin Smart City, i cili sipas tij e afron Shqipërinë me standardet më të avancuara evropiane dhe transformon rrënjësisht sigurinë publike në vend.
Rama ishte në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit Smart City, ku përmes Inteligjencës Artificiale dhe një sistemi të integruar monitorimi, po ndërtohet një model modern sigurie që parandalon rrezikun përpara se ai të shndërrohet në pasojë.
Kryeministri solli në vëmendje ngjarjen tragjike të vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli në Tiranë, Martin Canaj dhe reagimet që solli kjo ngjarje në opinionin publik.
“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të shkollës ‘Fan Noli’, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë konvulsive psikologjike në versionet e ndryshme të ngjarjes, në politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Ndërkohë që Policia e Shtetit dhe natyrisht Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të gjithëfarëlloj spekulimesh, akuzash, sajesash dhe fabrikimesh të cilat zgjatën jo pak, torturuan jo pak familjarët, por edhe gjithë opinionin publik”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se nuk e ka harruar këtë ngjarje tragjike, siç e kanë harruar të gjithë ata që e përdorën, keqpërdorën, abuzuan deri në fund atë tragjed.
“E kujtoj përditë duke ndjekur pikërisht këtë projekt që është përgjigja ime dhe përgjigja jonë ndaj asaj tragjedie. Një shtet nuk matet dot me çdo gjë që ndodh, sepse edhe në shtetet më të zhvilluara me traditat më të konsoliduara institucionale, me sistemet më të sofistikuara administrative, me historitë më të gjata të formimit të kulturës shtetërore, ka raste që ndodhin gjëra të cilat trondisin mbarë opinionin publik”, tha Kryeministri.
Por një shtet, sipas tij, matet me mënyrën se si reagon ndaj çdo gjëje që ndodh.
“Reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik i cili edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme dhe të panevojshme do të mundësoj që shumë fëmijë të cilët mund të jenë potencialisht një ditë të rrezikuar të mos kenë asnjë pasojë. Kjo sepse ky reagim sistemik do të lëri pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik që do të harmonizojë të gjithë përpjekjen e njerëzve, të institucioneve me aftësitë e pakonkurrueshme të inteligjencës artificiale dhe kësisoj do të mundësojë që parandalimi të ngrihet në një nivel tjetër”, shtoi kryeministri.
Duke folur për sigurinë në shkolla, Rama theksoi se tashmë janë përzgjedhur 20 shkollat e para bazuar në numrin e nxënësve, por edhe intensitetin e veprimtarive rreth e rrotull.
Duke testuar modelin në këto 20 shkolla, kryeministri shprehu bindjen se do të nxirren të gjitha konkluzionet e nevojshme për të vazhduar me fazat e tjera.
“Besoj që sot të gjithë prindërit që kanë fëmijët në shkolla duhet të ndjehen mirë, duhet të ndjehen të lehtësuar”, shtoi kryeministri.
