Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi sot drejtuesit e rinj të kësaj force politike, pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së strukturave drejtuese të PD-së.
Në një konferencë për mediat, Berisha përshëndeti drejtuesit e rinj të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i PD-së, duke theksuar se vota e lirë është baza e organizimit dhe funksionimit të kësaj force politike.
“Shqiptarët kanë parë dhe shohin një forcë politike që ka vendosur votën e lirë të saj në themel të ndërtimit dhe funksionimit”, deklaroi kryetari i PD-së.
Ai uroi nënkryetarët e rinj të partisë, Belind Këlliçin, Nikolla Kedhin dhe Erisa Bajazitin, duke i cilësuar si përfaqësues të shtresave dhe grupeve të ndryshme të shoqërisë shqiptare.
Po ashtu, Berisha uroi Flamur Nokën për rizgjedhjen në postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së dhe Klevis Balliun për zgjedhjen si sekretar organizativ.
Berisha falënderoi të gjithë kandidatët që garuan për postet drejtuese në PD, duke vlerësuar kontributin dhe angazhimin e tyre.
Ai e vlerësoi procesin e zgjedhjes së drejtimit të ri të partisë si një dëshmi të, vendosmërisë për ripërtëritje dhe të rolit të votës së lirë si mekanizëm themelor i funksionimit të kësaj force politike.
“Ka një ripërtëritje të madhe me personalitete ndër më të shquarat e fushave të tyre në drejtimin e PD-së. Kjo dëshmon vendosmërinë e kësaj partie për ripërtëritjen, potencialet e saj shumë të mëdha dhe votën e lirë si mekanizëm themelor të funksionimit të saj”, deklaroi Berisha.
