Me nismën e Ministrisë së Drejtësisë, u zhvillua dje një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, ku u shqyrtua ecuria e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024–2030.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri bëri të ditur se, si mekanizmi i vetëm i monitorimit i përcaktuar me ligj që garanton koordinimin dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve të drejtësisë, ky proces gëzon mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian për një zbatim të suksesshëm të strategjisë.
Në këtë takim, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, vlerësoi punën e institucioneve të drejtësisë dhe ritheksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë, integritetit dhe llogaridhënies së tyre.
Ai evidentoi progresin e arritur në kuadër të Reformës në Drejtësi, por theksoi se mbeten ende sfida që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.
“Objektivi përfundimtar është ta bëjmë reformën të pakthyeshme. Mbetem i bindur se institucionet e forta dhe të qëndrueshme janë garancia e vetme afatgjatë për drejtësi, stabilitet dhe mirëqenie. Ato mbrojnë jo interesat e pakicës, por të drejtat dhe mirëqenien e të gjithëve”, u shpreh ambasadori Gonzato.
Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024–2030 synon forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Bashkimi Evropian vijon të mbështesë institucionet shqiptare në zbatimin e reformave që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë.
