📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
9c2b1f28 3a88 48e0 b02b 60a4dedb903c

Kryeministri Edi Rama reagoi sot sërish lidhur me koncertin e Kanye West.

Rama deklaroi se qeveria ndërhyri me një financim prej 4 milionë eurosh për të garantuar zhvillimin e koncertit të Kanye West, duke e cilësuar ndërhyrjen si të domosdoshme për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë përballë mijëra vizitorëve të huaj.

“4 milionë euro në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjer më sot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura”, shkroi Rama.

Rama shtoi se rritja e rezervimeve në platformat e akomodimit për fundjavën e koncertit dëshmon, ndikimin e drejtpërdrejtë ekonomik për familjet, bizneset dhe të ardhurat e pushtetit vendor e qendror.

“Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë”, shkroi Rama.

Kryeministri kritikoi kundërshtarët e vendimit, duke i akuzuar se po manipulojnë opinionin publik përmes pretendimeve se fondet e përdorura për koncertin janë marrë në dëm të sektorit të shëndetësisë dhe pacientëve.

“Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht”, theksoi Rama.

“Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë pa pushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare”, nënvizon Rama.

Rama theksoi se vetëm pak ditë më parë qeveria ka miratuar fonde shtesë prej 15 milionë eurosh për barnat e pacientëve me sëmundje onkologjike, 5 milionë euro për pajisje mjekësore, si edhe masa të tjera mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara, fëmijët me aftësi të veçanta, programet për start-up-et, garancinë sovrane për bizneset dhe investime në zhvillimin urban e rural.

“U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorëm 15 milionë Euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve”, u shpreh Rama.

Kryeministri akuzoi kundërshtarët e tij për përpjekje për të penguar zhvillimin e vendit.

“Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit? Shumë e thjeshtë: Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre! Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht”, përfundoi Rama.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights