Një ditë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Radhimës ku një biznes u përfshi nga flakët, familjarët dyshojnë se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Gjatë ditës së sotme në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e Policisë së Vlorës, të cilat po marrin në pyetje pronarët dhe familjarët e biznesit.
Po ashtu, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve përreth, si edhe ato të familjes Çanaj, me qëllim identifikimin e autorit.
Familjarët këmbëngulin se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Dejsi Çanaj, u shpreh se prej kohësh kanë pasur konflikte lidhur me pronat. Ajo tregoi se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:40, kishte dëgjuar hapa pranë lokalit dhe vetëm një minutë e 30 sekonda më pas kishte shpërthyer zjarri.
Sipas saj, dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme forcohen edhe nga fakti se në beach bar nuk kishte energji elektrike, pasi objektit i ishte stakuar energjia elektrike.
Ndërkohë, policia vijon hetimet, duke marrë në pyetje banorë dhe familjarë, si edhe duke analizuar pamjet filmike për të zbuluar autorin, i cili sipas pronarëve dyshohet se është larguar nga kodrat e fshatit Radhimë.
