Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zgjodhi me 14 vota pro dhe asnjë kundër kryetarin e ri te kësaj gjykate.
Bëhet fjalë për Ilir Panda, i cili pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e kësaj gjykate më 19 tetor, duke pasuar Sokol Sadushin, të cilit i ka përfunduar mandati.
Panda ishte i vetëm në garë për postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Lartë nisi zyrtarisht më 21 gusht procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit, pasi mandati i Sokol Sadushit, përfundon më 17 tetor 2026.
Kryetari i ri do të marrë përgjegjësinë për drejtimin e institucionit në një periudhë të rëndësishme për sistemin gjyqësor,
Pas përfundimit të mandatit si kryetar, Sokol Sadushi nuk largohet nga Gjykata e Lartë. Ai do të vijojë të ushtrojë funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deri në vitin 2029.
Sadushi është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2020 dhe mandati i anëtarit të kësaj gjykate është nëntë vjet.
Kush është Ilir Panda?
Panda është pjesë e Gjykatës së Lartë që prej 11 marsit 2020, kur u emërua anëtar i saj me dekret të Presidentit të Republikës.
Kryetari i ri ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai është diplomuar për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1986 dhe më pas ka kryer kualifikime pasuniversitare pranë institucioneve shqiptare, evropiane dhe amerikane.
Gjatë karrierës ka punuar në organet e ndjekjes penale dhe në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe ka ushtruar profesionin e avokatit dhe atë të pedagogut në Shkollën e Magjistraturës dhe institucione të tjera të arsimit të lartë.
Panda ka mbajtur gjithashtu postin e ministrit të Drejtësisë në vitet 1999-2000 dhe atë të zëvendës kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga viti 2003 deri në 2007.
Ai ka qenë pjesë e grupeve të punës për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit dhe është autor i artikujve dhe publikimeve në fushën juridike.
