Partia Demokratike ka finalizuar negociatat me aleatët e saj, duke dorëzuar zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) emrin e koalicionit që do të garojë në zgjedhjet e 11 Majit. Ky grupim politik do të prezantohet nën siglën “Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, një bashkim forcash mes PD-së së Sali Berishës, Partisë së Lirisë së Ilir Metës dhe 24 partive të tjera.
Sipas marrëveshjes së arritur mes aleatëve, në listën e mbyllur të kandidatëve janë garantuar 8 vende të sigurta për aleatët e PD-së. Konkretisht, Partia e Lirisë do të ketë 4 vende të sigurta, ndërsa përfaqësues të tjerë të opozitës, si Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Agron Duka, do të përfshihen gjithashtu në listën e garantuar të koalicionit.
Burime nga negociatat tregojnë se Partia e Lirisë do të ketë dy vende të sigurta në qarkun e Tiranës, njëri prej të cilëve pritet t’i takojë Ilir Metës, ndërsa kandidatët e tjerë mund të vendosen në qarqet e Fierit dhe Elbasanit. Pjesa tjetër e aleatëve do të garojnë në listat e hapura në të gjitha 12 qarqet e vendit.
Përveç këtij koalicioni të drejtuar nga PD, në KQZ janë regjistruar edhe dy blloqe të tjera opozitare: bashkimi i LZHK-së së Dashamir Shehit me grupimin “Djathtas 1912” të Enkelejd Alibeajt, si dhe koalicioni mes “Nisma Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet”. Ndërkohë, Partia Socialiste ka vendosur të garojë e vetme në këto zgjedhje.