Në seancën gjyqësore për pasuritë e sekuestruara, ka dëshmuar Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinaj, duke folur për aktivitetin e tij financiar dhe jetën familjare.
Sipas dëshmisë së tij, aktiviteti financiar ka qenë i deklaruar dhe i lidhur me punën e tij në atë kohë, duke përmendur edhe periudhën e vitit 1999, kur sipas tij situata në vend ishte e pasigurt për shkak të pranisë së bandave kriminale.
Mustafa Martinaj foli edhe për jetën e djalit të tij, duke thënë se Ervisi ka studiuar ekonomi në Itali, në Parma, rreth viteve 2000-2001, me bursë studimi, por më pas është kthyer në Shqipëri për të jetuar me familjen.
Në dëshminë e tij, ai përmendi gjithashtu se ka pasur aktivitet biznesi në sektorin financiar privat, duke iu referuar një institucioni financiar të quajtur Unioni Financiar i Tiranës, ku sipas tij janë kryer transaksione të shumta në atë periudhë. Seanca për sekuestrimin e pasurive të lidhura me Ervis Martinaj vijon ndërsa gjykata pritet të vlerësojë provat dhe dëshmitë e paraqitura nga palët.
“Visi fillimisht ishte student në Parma të Italisë, rreth viteve 2000–2001. Ai shkoi me bursë studimi dhe studioi ekonomi për dy vjet në Itali. Vajzat ishin në shkollë në Shqipëri. Kur ato filluan studimet, Visi u transferua që të rrinte me to dhe më pas u vendos në Tiranë. Më vonë ata u martuan. Banesa u mor, nëse nuk gaboj, në fund të vitit 2005. Visi ka qenë mbi mesataren në studime. Dëshironte të vazhdonte shkollën në Itali, por i la përgjysmë studimet dhe erdhi në Tiranë tek motrat. Deri sa ishte në shkollë, ka qenë shumë punëtor dhe i pëlqente pavarësia, në Itali nuk kishte bërë asnjë punë.
