Policia e Shtetit vijon kontrollet në territor dhe në ambiente të mbyllura, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Në Divjakë u zbulua një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike dhe u sekuestruan 44 kilogramë bimë narkotike kanabis si dhe u konstatuan të kultivuara 1426 bimë narkotike kanabis.
Policia njoftoi se në kuadër të operacionit “Koordinimi”, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u gjet një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.
“Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 3 punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, shtetasit: E. T., 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, F. H., 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe G. A., 53 vjeç, me detyrë roje” njoftoi policia.
Gjithashtu sipas policisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Ndërkohë në Has, njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen, u konstatuan të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh të dyshuara narkotike kanabis sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.
Sipas policisë në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan si autorë të dyshuar, shtetasit Rr. U ., 70 vjeç dhe B. U., 34 vjeç (babë dhe bir), banues në fshatin Vlahën, si dhe u shpall në kërkim djali tjetër i 70-vjeçarit, shtetasi A. U., 44 vjeç.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Rr. S., 58 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Vlahën, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Kukës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
