Çmimet globale të naftës u rritën sërish këtë të mërkurë, pas rënies së fortë të regjistruar në fillim të javës. Tregjet reaguan ndaj pasigurisë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe zhvillimeve të fundit në Detin e Kuq.
Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, u rrit me 1.3%, duke u tregtuar rreth 80 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI fitoi 0.6%, duke arritur në rreth 76 dollarë për fuçi.
Rritja vjen pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të shpallet së shpejti. Megjithatë, mediat shtetërore iraniane kanë hedhur dyshime mbi mundësinë e një rihapjeje të menjëhershme.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe në ngushticën Bab al-Mandeb, një tjetër korridor strategjik për transportin detar të naftës. Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë kërcënuar me ndërprerjen e lundrimit në këtë zonë, duke rritur shqetësimet për furnizimin global me naftë.
Sipas ekspertëve, çdo kufizim i qarkullimit në Detin e Kuq do të reduktonte alternativat e Arabisë Saudite për eksportet e naftës, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi tregjet.
Ndërkohë, rebelët Huthi kanë pretenduar se kanë sulmuar një cisternë saudite nafte në Detin e Kuq, ndërsa autoritetet indiane njoftuan se një anije me flamur indian u godit dhe u fundos pranë brigjeve të Jemenit. Këto incidente kanë shtuar pasigurinë në një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë botërore.
