Policia e Tiranës ka arrestuar 5 persona, pasi morën peng një 68-vjeçar dhe e kërcënuan bashkëshorten e tij që t’u japë atyre 2 milionë Lekë në këmbim të kthimit të burrit në shtëpi me shëndet të plotë..
Në pranga kanë rënë vëllezërit Sina 21 dhe 31 vjeç, si dhe shtetasit I.Mashollari 21 vjeç, B.Ibraliu 57 vjeç dhe N.Begolli 32 vjeçe.
Ishin vëllezërit Sina dhe Masholli ata të cilët morën me forcë në makinë 68-vjeçarin nga rruga “George W. Bush”, për ta çuar më pas në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë. Më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, për ta kërcënuar me jetë për burrin e saj, në rast se nuk sillte 2 milionë Lekë. Paratë u dorëzuan Ibraliut në zonën e Saukut.
Pas arrestimit të autorëve, në automjetin e Begollit, me të cilën lëviznin ata, u gjetën dhe u sekuestruan 1 746 000 Lekë, të dyshuara se kanë mbetur nga paratë e dhëna nga bashkëshortja e 68-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Imediat”.
Morën me forcë dhe mbajtën peng në një zonë periferike, një 68-vjeçar, si dhe kërcënuan bashkëshorten e tij, për t’i marrë 2 000 000 lekë. Kapen pas disa orësh, 5 shtetas që bashkëpunuan për kryerjen e këtij krimi.
Sekuestrohen 1 746 000 lekë nga shuma që bashkëshortja iu dha këtyre shtetasve.
Menjëherë pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se më datë 29.04.2025, disa shtetas kishin marrë me forcë një shtetas, të cilin e kishin mbajtur peng dhe në këmbim të lirisë së tij i kishin marrë një shumë të madhe parash, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.
Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George W. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.