📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
767031517 2112341932825761 262165261599500692 n 696x522

Ministria e Mbrojtjes reagoi sot ndaj deklaratave të Partisë Demokratike lidhur me procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke theksuar se procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi.

PD deklaroi sot se kompania e shpallur fituese e tenderit, Air Tractor Europe S.L., është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë dhe kërkoi anulimin e tij.

Në një deklaratë publike, MM bëri të ditur “se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë”.

Ministria e Mbrojtjes hodhi poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Ministria e Mbrojtjes sqaroi se në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, si edhe kërkesat për kapacitet ekonomik dhe teknik.

Në reagim thuhet se nuk është i vërtetë pretendimi se kompania fituese, AVIATION TRADE EUROPE, S.L., ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.

Sipas ministrisë, kompania ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe gëzon të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedurat publike të prokurimit.

MM theksoi se pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje gjyqësore në Spanjë, për të cilën vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe ndodhet në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, sipas saj, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e operatorit ekonomik nga procedurat e prokurimit.

Në deklaratë nënvizohet se kompania ka vijuar të kontraktojë me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.

Ministria e Mbrojtjes e cilësoi investimin për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve si një projekt me rëndësi strategjike për forcimin e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit, duke ritheksuar angazhimin për zhvillimin e çdo procedure në përputhje me ligjin dhe në interes të publikut.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights