Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të njoftojë një marrëveshje tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Trump postoi në Truth Social se do të mbante një konferencë për shtyp në Zyrën Ovale këtë të enjte në lidhje me një “marrëveshje të madhe tregtare me përfaqësuesit e një vendi të madh dhe shumë të respektuar”.
Ai nuk ofroi më shumë detaje, por tha se do të ishte marrëveshja e parë. Pas lajmit Paundi u rrit ndjeshëm kundrejt Dollarit. Një marrëveshje do të ishte e dyta për Britaninë brenda një jave, pasi ajo arriti një pakt të tregtisë së lirë me Indinë.
Një zyrtar britanik ka bërë të ditur se Britania dhe SHBA-të kanë bërë përparim të mirë në një marrëveshje tregtare që ka të ngjarë të përfshijë kuota më të ulëta tarifore për çelikun dhe automjetet. Britania është gjithashtu në “diskutime aktive” me zyrtarët e lartë amerikanë mbi tarifën 100% për të gjithë filmat e prodhuar jashtë SHBA-së, të shpallur nga Trump.
Tarifat prej 25% për makinat kanë ndikuar ashpër, pasi makinat janë eksporti numër një i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA me vlerë rreth 9 miliardë Paund vitin e kaluar.
Lajmi për një marrëveshje tregtare SHBA-Britani të Madhe vjen ndërsa zyrtarët amerikanë dhe kinezë përgatiten të zhvillojnë bisedime në Zvicër të shtunën, të cilat mund të shënojnë hapin e parë në zgjidhjen e një lufte tregtare midis dy ekonomive kryesore të botës.