Whatsapp image 2025 03 06 at 09.39.44

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë një paralajmërim të fortë për rrezikun në rritje që paraqet Rusia për sigurinë e Evropës, duke theksuar se shpërfillja e këtij kërcënimi do të ishte një gabim i rëndë. Në një fjalim televiziv, ai konfirmoi se Franca është e gatshme të hapë një debat strategjik mbi mundësinë e zgjerimit të ombrellës së saj bërthamore për të mbrojtur aleatët evropianë.

Deklarata e Macron vjen në prag të një samiti urgjent të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku liderët e BE-së do të diskutojnë për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe fuqizimin e mbrojtjes evropiane. Kjo është një kërkesë gjithnjë e më e fortë edhe nga administrata amerikane, për shkak të shqetësimeve mbi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe sigurisë evropiane.

Duke iu referuar thirrjes së kancelarit të ardhshëm gjerman, Friedrich Merz, Macron u shpreh i hapur për një diskutim mbi mbrojtjen e vendeve evropiane përmes kapaciteteve bërthamore franceze. “Ombrella jonë bërthamore është e plotë, sovrane dhe franceze. Por ne duhet të shqyrtojmë mënyra për të mbrojtur më mirë Evropën përballë kërcënimeve në rritje”, deklaroi ai.

Ombrella bërthamore franceze, e krijuar në vitet 1960 nga Charles de Gaulle, është ndërtuar për të qenë plotësisht e pavarur nga SHBA, të cilat së bashku me Rusinë zotërojnë pjesën dërrmuese të arsenalit bërthamor global. Aktualisht, Franca ka rreth 290 koka bërthamore, ndërsa debati mbi shtrirjen e mbrojtjes së saj ndaj aleatëve evropianë pritet të jetë një çështje kyçe në diskursin politik dhe strategjik të kontinentit në muajt e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights