Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, teksa sqaroi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është deri më 6 tetor.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Njoftimi nga gjykata më e lartë në vend vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës kontestoi edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme për punimet e Kuvendit.
Sa i përket Kuvendit – që u konstituua më 13 shtator dhe disa orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria – Kushtetuesja tha se deputetët duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë, duke konstatuar se organi ligjvënës u konstituua përtej afatit 30-ditor.
Më 13 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit.
Më vonë gjatë ditës u votua edhe Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti. Kabineti qeverisës është po i njëjti me atë të kaluarin dhe të pranishëm në seancën për zgjedhjen e Qeverisë nuk ishin PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.
Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, shkroi menjëherë pas publikimit të vendimit të Kushtetueses se Gjykata “e ktheu në binarë ligjshmërie” konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
“Gjithashtu, e prishi matematikën e zgjedhjeve për 27 dhjetor. Tash që gjithçka është e qartë, po presim të shohim a ka çfarëdo mundësie për çfarëdo përbashkimi në këtë situatë – më të vështirën në këto 15 vjetët e fundit”, shkroi ai në Facebook.
Partitë opozitare kishin fajësuar LVV-në e Albin Kurtit se po zvarriste konstituimin e institucioneve në mënyrë që votimet e reja të mbaheshin në fund të vitit.
Çështja e presidentit
Çështja e presidentit ka qenë temë kyç tash e një kohë në Kosovë, pasi për shkak të moskonsensusit për zgjedhjen e një kreu të ri të shtetit u mbajtën edhe votimet e qershorit.
Që nga 4 prilli, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. Ky funksion, sipas Kushtetutës, nuk mund të ushtrohet më shumë se gjashtë muaj.
Pas rundesh të bisedimeve mes LVV-së të Albin Kurtit dhe LDK-së së Lumir Abdixhikut, palët arritën një marrëveshje në fund të gushtit për një president konsensual, dhe dy partitë propozuan për postin e presidentit Bekim Sejdiun.
Por, një ditë pas njoftimit për marrëveshjen u bë e ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e përkrahnin këtë kandidaturë – duke bërë që, në praktikë, Sejdiu të mos kishte 81 votat e nevojshme – dy të tretat e Kuvendit me 120 ulëse, që kërkohen për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Pavarësisht kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, Kurti insistoi se marrëveshja ende qëndronte.
Megjithatë, më 14 shtator Sejdiu njoftoi se tërhiqet nga kandidatura për president për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për zgjedhjen e tij.
Kosova rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja – që do të ishin të katërtat që nga shkurti i vitit 2025 – nëse partitë nuk gjejnë ujdi që ta zgjedhin kreun e ri të shtetit deri më 6 tetor, afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Si u konstituua Kuvendi?
Në një aktgjykim të mëparshëm, Kushtetuesja kishte thënë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30-ditësh nga certifikimi i rezultatit zgjedhor. Ky afat përfundoi më 7 gusht.
Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të qershorit, kishte argumentuar se afati 30-ditor kishte nisur më 6 gusht, kur nisi edhe seanca konstituive. Megjithatë, edhe ky afat u tejkalua, mes argumentimit nga LVV-ja se kërkohej një marrëveshje për çështjen e presidentit para se të lëvizej përpara me konstituimin e Kuvendit.
Seanca nisi më 6 gusht, por u ndërpre shpejt, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit. Kërkesë të ngjashme ai bëri edhe në vazhdimin tjetër të seancës që u mbajt pas 48-orësh.
Kuvendi nuk e vazhdoi këtë seancë deri më 9 shtator, kur deputetët u mblodhën dhe rizgjodhën në krye të organit ligjvënës Albulena Haxhiun. Por, në atë seancë për shkak të mospajtimeve të pesë nënkryetarët nuk u zgjodhën.
Në vazhdimin e seancës së 11 shtatorit, u zgjodh nënkryetari nga radhët e LVV-së Ardian Gola, por jo edhe Vlora Çitaku e PDK-së – fuqisë së dytë politike në vend.
Më vonë, LVV-ja ndryshoi mendim dhe më 13 shtator votoi për Shalën në postin e nënkryetarit. Por, PDK-ja tha se kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën për nënkryetar duke paralajmëruar dërgim të lëndës në Kushtetuese, gjë që ndodhi më pas.
Gjatë seancës së 13 shtatorit u zgjodhën edhe dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë. /REL/
