Linda sd

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama mori pjesë sot në homazhet e zhvilluara për babanë e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Skënderaj të Kosovës.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Linda Rama u shpreh se kjo është një ditë e trishtuar.

“Erdha këtu për t’i dhënë lamtumirën bacës Haxhi, me respektin e thellë për këtë familje të njehsuar me historinë e Kosovës, falë njërit prej djemve të tij, Hashimit, por edhe të vëllazëruar me familjen time përmes Hashimit. Kjo është një ditë e trishtuar dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu me ty nana Hyrë, jo në këmbë të Edit, por në radhë të parë sepse e di mirë se çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani e posaçërisht nëna e një politikani. E kam përjetuar pranë nënës së Edit”, u shpreh ajo.

Në këtë ditë të trishtuar, Linda Rama tha se është këtu me të gjithë familjen Thaçi të cilës sot i mungojnë dy burra.

“E di dhe më mirë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër e një udhëheqësi, aty ku fryjnë dhe nuk pushojnë erërat e forta. E përjetoj çdo ditë. Por ç’ka nuk di dot fare në këtë ditë kaq të trishtuar është se çdo të thotë të kesh fëmijën me pushkë në dorë duke luftuar nëpër male, apo robtar të dashurisë së vetë diku larg në një vend pa qiell e ku askush nuk e di për sa kohë. Duhet të jetë një ankth i pambarimtë ”, tha Linda Rama.

Ndaj, vijoi ajo, “nuk më mbajti dot vendi atje në Tiranë por desha të jem këtu sot pranë nënës dhe gruas së Hashimit, nënës dhe bashkëshortes së komandantit siç i thërrasim gjithnjë edhe në shtëpi, i cili në këtë ditë ndarjeje të dhimbshme duhet të vijojë të jetë larg, në luftë”.

“Nuk besoj se një mungesë mund të jetë dot kaq herë më e madhe se sa prania në një ditë si kjo, prandaj ajo dhe daton shumë përtej këtyre mureve si një kambanë kujtese për dhimbjen e dhjetëra mijëra prindërve dhe grave të kësaj toke, por edhe sakrificën e krejt popullit të Kosovës për ta paguar çmimin e lartë të lirisë. Të qoftë i lehtë dheu baca Haxhi!”, u shpreh Linda Rama.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk është lejuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës t’i japë lamtumirën e fundit babait të tij, i cili u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vdekur në orët e vona të së dielës.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights