Asambleja e Partisë Socialiste ka nisur punimet në Gjirin e Lalëzit, ku në fokus janë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Blendi Klosi deklaroi të hapura punimet e mbledhjes së sotme, e cila në rendin e ditës ka një pikë shumë të rëndësishme, atë të lançimit të fillimit të fushatës elektorale për Partinë Socialiste.
“Në fokus të mbledhjes së sotme është përgatitja jonë në të gjithë territorin, përgatitja e një materiali i cili do të paraqitet në këtë asamble për mënyrën e zgjedhjes dhe kriteret që na duhet të ndjekim për zgjedhjet e këshilltarëve bashkiakë në të gjithë territorin”, tha Klosi.
Po ashtu, Klosi bëri të ditur se punimet e Asamblesë kanë në fokus dhe të gjithë punën që duhet ndjekur për gjithë këto procedura që do të fillojnë nga sot edhe deri në ditën e zgjedhjes.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste mori fjalën hapëse për të ndarë, siç tha ai, disa fjalë vetëm me asamblenë e familjes politike socialiste.
