Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot seanca dëgjimore me kandidatët për ambasadorë të Shqipërisë në disa shtete.
Fillimisht para anëtarëve të komisionit prezantoi platformën e saj, Elvira Isufi, kandidate për ambasadore në Mbretërinë e Suedisë, rezident dhe në Finlandë, në Islandë
dhe në Norvegji, jo rezident.
Isufi solli në vëmendje mbështetjen jo vetëm politike por edhe përmes ndihmave konkrete të këtyre vendeve gjatë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Mbi këtë bazë, Isufi theksoi se mund të bëjmë shumë më tepër për të forcuar partneritetet tona me vendet nordike dhe për të ngritur më lart nivelin e bashkëpunimit me to në të ardhmen.
Në kuadër të integrimit europian, Isufi theksoi se aktiviteti i saj diplomatik do të synojë prezantimin e reformave edhe në funksion të përshpejtimit të procesit të mbylljes së negociatave dhe të avancimit të vendit drejt BE-së.
Duke folur mbi bashkëpunimin ekonomik, Isufi solli në vëmendje faktin se vendet nordike janë ndër kontribuesit më të mëdhenj financiar në vendin tonë për sa i përket reformave për zhvillim.
Ajo siguroi se do të nxisë forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke u ndalur në diplomacinë ekonomike dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare.
Me rëndësi, sipas saj, është tërheqja e investimeve drejt Shqipërisë në fusha me interes si në energji të rinovueshme dhe teknologji.
Po ashtu, Isufi theksoi si prioritet promovimin e Shqipërisë turistike dhe rritjen e numrit të turistëve nordikë drejt vendit tonë, kjo edhe përmes nxitjes së fluturimeve direkte gjatë sezonit veror.
Po ashtu, çështje të rëndësishme të aktivitetit diplomatik, sipas Isufit do të jenë edhe njohja e pensioneve apo lejet e drejtimit.
Isufi theksoi po ashtu se do të punojë për forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare në të 4 shtetet si dhe mësimin e gjuhës shqipe dhe promovimin e traditave.
Në vijim, komisioni vijoi me seancën dëgjimore me Dastid Koreshin, kandidat për ambasador në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë
pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në
Gjenevë, rezident.
Koreshi solli në vëmendje rëndësinë e përfaqësimit të Shqipërisë në këtë seli diplomatike, ndërsa shtoi se Gjeneva është një hapësirë ku ndërthuren disa prej çështjeve më të rëndësishme të rendit ndërkombëtar.
“Shumë prej organizatave në Gjenevë mbulojnë fusha që lidhen direkt me integrimin. Gjatë vitit të kaluar misioni i Shqipërisë ka luajtur një rol tepër aktiv në identifikimin dhe përcjelljen e projekteve dhe asistencës teknike sidomos për fusha që lidhen me integrimin europian. Mendoj se kjo traditë duhet ruajtur dhe forcuar më tej”, theksoi ai.
Prioritet, sipas Koreshit, do të ketë diplomacia ekonomike. “Gjeneva është edhe një hapësirë ku diskutohen rregullat e tregtisë ndërkombëtare, të transportit, energjisë etj. Shqipëria duhet të ketë një vëmendje më të madhe ndaj OBT-së. Ky fokus do të na shërbejë të kuptojmë më mirë rreziqet dhe mundësitë si dhe të jemi në gjendje të informojmë në kohë institucionet shqiptare mbi zhvillimet që mund të ndikojnë në politikat tregtare dhe klimën e investimeve”, tha Koreshi.
Po ashtu, Koreshi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me organizatën e pronësisë intelektuale. “Kjo lidhet me zhvillimin ekonomik, inovacionin, pronësinë intelektuale. Pra, lidhet me bizneset, universitetet, krijuesit, produktet tradicionale dhe trashëgiminë kulturore, ndaj bashkëpunimi me këtë organizatë do të përkthehet edhe në mbrojtjen e produkteve shqiptare”, tha Koreshi.
Komisioni zhvilloi në vijim seancë dëgjimore me Florian Novan, kandidat për ambasador në Egjipti, rezident dhe në Siri, Jordani, Libi, Palestinë, Liban dhe Sudan, jo rezident.
Në fillim të fjalës së tij, Nova theksoi rëndësinë e fuqizimit të pranisë diplomatike të Shqipërisë në këtë rajon.
Përparësi, sipas tij, do të ketë Jordania duke e parë këtë shtet si një partner institucionalisht funksional.
Nova theksoi se zonat e konfliktit apo zonat kalimtare të tranzicionit si Siria, Libia dhe Sudani, por edhe Palestina dhe Libani kërkojnë një trajtim të barazpeshuar duke marrë parasysh ndjeshmërinë rajonale dhe dinamikat në terren.
Ai theksoi se gjatë misionit të tij diplomatik do të bashkërendojë punën me NATO-n, BE-në dhe OKB-në.
Duke konsideruar Egjiptin si një bazë shumë të rëndësishme për gjithë rajonin, Nova u shpreh se forcimi i bashkëpunimit do të jetë në nivel dypalësh por edhe shumëpalësh.
Në përfundim, komisioni zhvilloi seancën dëgjimore me Spiro Koçin, kandidat për ambasador në Bosnjë dhe Hercegovinë, rezident.
Koçi nënvizoi rëndësinë e hapjes së ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë, si një hap shumë të rëndësishëm strategjik.
“Ajo nuk është thjesht një përfaqësi diplomatike, por një instrument konkret për rritjen e pranisë tonë politike, ekonomike e kulturore në zemër të Ballkanit Perëndimor. Bosnje dhe Hercegovina mbetet një vend me rëndësi të veçantë në arkitekturën e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë proceset euroatlantike të Bosnjë Hercegovinës si dhe misionet ndërkombëtare që kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë së saj”, tha ai.
Po ashtu, Koçi theksoi se volumi tregtar dhe investimet kanë shënuar disi rritje, por ekzistojnë mundësi shumë më të mëdha sidomos në sektorë si energjia, turizmi, infrastruktura dhe agrobiznesi.
Prioritet, sipas tij, mbetet mbështetja për krijimin e linjës së re ajrore direkte me Sarajevën, që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e turizmi.
Në përfundim, Koçi theksoi se Shqipëria ka luajtur dhe do të luajë një rol aktiv në promovimin e projekteve të ndërlidhjes rajonale sepse ato krijojnë zhvillim ekonomik por edhe me shumë stabilitet e bashkëpunim mes vendeve tona.
