Këtë të hënë, qarkullimi i automjeteve dhe udhëtarëve përmes pikës kufitare të Kapshticës, u ndërpre përkohësisht si pasojë e protestës së punonjësve të doganave greke.
Nga ora 05:00 deri në 09:00, pala greke pezulloi procedurat e përpunimit, duke mos lejuar hyrje-daljet në territorin grek. Si rrjedhojë, udhëtarët që kishin përfunduar procedurat në anën shqiptare mbetën në pritje deri në rifillimin e punës në doganën greke.
Greva u organizua nga sindikata e doganierëve grekë, e cila kërkon rritjen e numrit të punonjësve, përmirësimin e kushteve të punës dhe të trajtimit financiar, si dhe zbatimin e angazhimeve të marra nga qeveria greke për administratën doganore.
Sipas sindikatës, mungesa e personelit dhe ngarkesa e lartë në punë po ndikojnë në funksionimin normal të pikave kufitare dhe në ofrimin e shërbimeve doganore.
Përfaqësuesit e doganierëve kanë paralajmëruar se, në rast se kërkesat e tyre nuk adresohen nga autoritetet greke, do të vijojnë me veprime të tjera sindikale edhe në ditët në vijim.
Pas përfundimit të grevës, lëvizja në pikën kufitare të Kapshticës është rikthyer në normalitet, ndërsa autoritetet këshillojnë udhëtarët të marrin në konsideratë vonesat e krijuara gjatë paradites.
